Intervistë e Presidentit Meta dhënë për emisionin “Ora e Betit” në “RTV ORA”
Pyetje: Ju përmendët masakrën elektorale, përdorimin e patronazhistëve, po dhe shumë problematika të tjera që janë adresuar në raportin e OSBE-ODHIR. A i adresoj si duhet opozita e sotme këto probleme, për të cilat fajësoji dhe humbjen e zgjedhjeve?
Presidenti Meta: Nuk është kjo detyra ime, kjo është detyra e tyre.
Pyetje: Folët për qëndrimet Tuaja të forta presidenciale, u shprehët pak më parë që Presidenti nuk është i pagabueshëm. A do të kishit bërë diçka ndryshe?
Presidenti Meta: Flas për aktet dhe vendimet, dikush mund të shprehet që janë retorika. Por nëse e gjithë Qeveria sulmon dhe e provokon Presidentin? Nëse Presidenti i Republikës, i shqetësuar për popullin, të kërkon me shkrim që merr masa në rast se bie tërmet? Nëse Presidenti të paralajmëron që po nuk u plotësuan kushtet, nuk çelen negociatat dhe të thotë që është çmenduri të shkohet në zgjedhje lokale pa opozitën, atëherë, çfarë duhet të bëjë? Presidenti ka bërë më të mirën e mundshme!
Pyetje: Zoti Presidenti, pak ditë më parë kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ju rreshtoi në kampin e kundërshtarëve të tij, duke ju quajtur pjesë e “Trekëndëshit të Bermudeve” dhe të së keqes, bashkë me Berishën edhe Kryeministrin Rama. A keni një koment për këtë etiketim?
Presidenti Meta: Është e drejta e tij të bëjë lapsuse, edhe të ketë ndoshta ndonjë mendim të tij, se është i lirë. Unë nuk kam asnjë shqetësim.
Unë e kam respektuar gjithmonë dhe jam përpjekur ta ndihmoj që ai të mos gabojë rëndë.
Sa herë më ka kërkuar ndihmë ja kam dhënë, sa herë i ka rënë telefonit tim e ka pasur të hapur.
Por, më duhet të them që është koha që politikanët në Shqipëri të marrin përgjegjësi dhe jo t’i ikin atyre. Prandaj jemi në një situatë të tillë ku vihet në diskutim edhe legjitimiteti i partisë kryesore të opozitës, pas problemeve të mëdha të legjitimitetit të Parlamentit, të pushteti lokal, të Presidentit.
Pavarësisht të gjithë këtyre, unë jam i qetë edhe e di që gjithë shqiptarët e kanë shumë të qartë se në çfarë kushtesh kam punuar.
Por dikush përsëri thotë tani jo dhe bën sikur nuk i di të gjitha këto rrethanat.
Nuk është problemi i trekëndëshit që thotë zoti Basha. Ky është problemi i tij.
Problemi kryesor në këtë rast është katërkëndëshi i përgjegjësive madhore, të cilave ai nuk mund t’i ikë dhe nuk mund t’ua shkarkoj të tjerëve.
Në radhë të parë nuk mund t’ia shkarkoj Ilir Metës si President i Republikës, por edhe si një politikan aktiv me të cilin ai, ka pasur një marrëdhënie shumë të veçantë.
Dhe kush është ky katërkëndësh i përgjegjësive madhore i cili ka vetëm një rezultat kapjen totale të shtetit sot?
Së pari, bojkoti i reformës administrative-territoriale përpara zgjedhjeve vendore të 2015.
Ilir Meta ka qenë kryetar i Kuvendit, kryetar i LSI, por dhe në koalicion me Edi Ramën dhe pavarësisht nga dëshira e kryeministrit për ta përjashtuar opozitën nga ky proces, opozita për çudi kishte dëshirë që të vetëpërjashtohej me një këmbëngulje të paparë.
Ndërkohë unë, si Kryetar i Parlamentit në atë kohë kam këmbëngulur në mënyrë të jashtëzakonshme deri në fund për të përfshirë opozitën, sepse kisha dhe problemin e procesit të integrimit europian dhe kjo ishte një reformë e rëndësishme. Kjo reformë duhej bërë, sepse 400 e ca komuna nuk i mbante dot Shqipëria.
Opozita ka pasur të gjitha ofertat për të dhënë një plan të sajin dhe jo vetëm kaq, por demokratët të cilëve sot u serviret Ilir Meta si pjesë e këtij trekëndëshi.
Ilir Meta ka insistuar dhe ka çuar në Konventën që do të kishin demokratët për çështjen e pushtetit vendor, Bashkim Finon e ndjerë, i cili ishte kryetar i Komisionit të Reformës, bashkë me Petrit Vasilin.
Unë i kam ftuar dhe kam insistuar që na jepni ofertën tuaj.
U premtua që do të jepej dhe kjo gjë kurrë nuk u dha dhe unë nuk e di kujt i shërbeu ky bojkot, dhe se çfarë detyrimi ka Ilir Meta ndaj zotit Basha!
Së dyti, që në momentin që është hedhur ideja e djegies së mandateve kam thënë që kjo është një çmenduri, si do digjni mandatet.
E para, mandatet e kujt do digjni ju?
E dyta, kujtoni ju se do rri njeri pa gjumë në Bruksel apo kudo tjetër? Jo, do qeshin!
E treta, i dini ju listat?
Kam insistuar madje, se ka qenë në një situatë bojkoti opozita, tre muaj para kur nisi protesta e studentëve, që të kthehej në Parlament.
Kam kthyer buxhetin dhe ju kam thënë shkoni dhe mbështesni studentët për kërkesat e tyre me një buxhet të rishikuar.
Unë nuk e di se çfarë i ka thënë Sali Berisha apo dikush tjetër, nuk dua të ndërhyj në këtë çështje, atë le ta zgjidhin vetë.
Ilir Meta i ka thënë Lulzim Bashës, zotit Berisha, por edhe çdo deputeti demokrat t’i lenë mandatet?!
Unë u kam thënë që kjo është një çmenduri dhe e dimë se ku përfundoi.
Për çështjen e pushtetit lokal e njëjta gjë dhe po kështu bojkoti i reformës në drejtësi ishte me pasoja katastrofike në kapjen e shtetit.
Sa herë i ka thënë Ilir Meta atij (Lulzim Bashës) por dhe LSI-së, bëni një platformë për Reformën në Drejtësi bazuar me votat e ndryshimit të Kushtetutës me 140 vota?
Pra këto janë katër kënde se nuk dua ta bëj katërmbëdhjetë kënde sot.
Bojkoti i reformës administrative-territoriale, bojkoti i Reformës në Drejtësi, djegia e mandateve në Parlament dhe zerimi i opozitës nga pushteti lokal, janë 4 përgjegjësi madhore që Lulzim Basha, nuk u ikën dot.
Mund ta ketë përgjegjësinë dikush tjetër, por ai ka qenë kryetar i Partisë Demokratike dhe unë kam pasur për detyrë të flas me të, dhe ka qenë detyrë e tij të marri përgjegjësit në atë moment, dhe t’i tregojë vendin cilido në kohën e duhur, që mund të ishte një nxitës negativ.
Pyetje: I njihni ndonjë përgjegjësi Lulzim Bashës edhe në situatën kaotike që, po përjeton tani Partia Demokratike në prag të përçarjes, me thirrjen për dy Kuvende Kombëtare, pas përjashtimit të ish-kryeministrit Berisha me shpalljen e tij non grata?
Presidenti Meta: Nuk të hyjë në çështjet e brendshme të Partisë Demokratike.
Por, ky është një fakt që, opozita ka një problem të rëndësishëm, legjitimitetin e lidershipit të saj.
E para është një lidership që nuk mban përgjegjësi dhe gjithmonë do shpikë një fajtor.
E dyta, vetë zoti Basha e ka pranuar, që ka patur apo ka një dualizëm në drejtimin dhe lidershipin e Partisë Demokratike, gjë që e kemi dëgjuar kohët e fundit.
Unë, nuk e di sesa e vërtetë dhe reale është kjo! Nuk kam qenë pjesë e forume të Partisë Demokratike.
Për çështjet e rëndësishme që flas me zotin Basha, apo me aktorë të tjerë sigurisht që jam shumë i përgjegjshëm, sepse ato janë jo vetëm të dokumentuara shumë mirë, por janë edhe fakte publike.
Prandaj edhe nuk mund të them se çfarë ka ndodhur në kryesinë e Partisë Demokratike, në grupin e saj parlamentar apo dhe në institucione të tjera, se kjo është një çështje e tyre.
Mendoj që Partia Demokratike e Shqipërisë, si një aset i rëndësishëm kombëtar dhe mbarëkombëtar, si një parti e dalluar për mbrojtjen e interesit kombëtar, që nga dita e parë e krijimit të saj, si parti e lirisë dhe demokracisë, ka për detyrë të zgjidhë në mënyrën më demokratike, transparente dhe bashkëpunuese këtë situatë.
Para pak ditësh ndoqa një propozim të zotit Paloka, kryetar i Këshillit Kombëtar, një ndër figurat e njohura të kësaj partie, një ndër bashkëpunëtorët më të afërt të zotit Basha, në 8 vitet e fundit, si kryetar i Këshillit Kombëtar, forumi më i rëndësishëm mes dy Kuvendeve apo Konventave, i cili ka bërë një thirrje për të gjetur rrugën për t’i zgjidhur problemet në mënyrë demokratike.
Unë, mendoj se nëse ka vullnet politik, mund të gjendjet një zgjidhje në respekt jo vetëm të demokratëve, por dhe të gjithë shqiptarëve.
Sepse një opozitë me probleme, është një problem për të gjithë vendin, nuk është vetëm për përkrahësit e saj.
Opozita ka për detyrë të kontrollojë Qeverinë nga arbitrariteti i saj, ka për detyrë të mbrojë njerëzit, jo vetëm opozitarët, por edhe qytetaret të cilët kanë votuar për partinë që është në qeveri, por që i cenohen të drejtat e tyre.
Në këto kushte mendoj që ata, duhet të ndjekin rrugën më demokratike, transparente dhe atë më bashkëpunuese, por nëse duan të gjejnë arsye për t’u shfajësuar apo të fajësojnë njëri-tjetrin, atëherë kjo është çështja e tyre, nuk është përgjegjësia e imja.
Unë kam bërë çdo gjë në raport më Partinë Demokratike, për hir të vendit, por edhe për arsye të historisë së saj, me qëllim që ajo të mos përçahej.
Në kohën që u miratua Reforma në Drejtësi me 140 vota, sepse plani ishte i qartë; të ndahej në një parti që gjoja e donte reformën dhe tjetra se donte reformën, dhe me votat e atyre që, gjoja e donin reformën ti jepnim me Kushtetutë, kryeministrit Reformën në Drejtësi, të cilën ai më pas e morri me ligje antikushtetues, dhe përsëri opozita pati përgjegjësinë e saj me bojkotin e çështjeve të mëvonshme.
Së dyti në 17 maj, u bë çdo gjë që të përjashtonte Partinë Demokratike nga zgjedhjet. Kam qenë unë, që kam kërkuar nga kryetari i Partive Popullore Europiane, Joseph Daul që të dërgonte një njeri të besuar për të zgjidhur krizën, atëherë isha kryetarit i Kuvendit dhe në koalicion me partinë Socialiste dhe për të zgjidhur këtë gjë, kam thënë që unë do ndjek atë që do të thotë ky përfaqësues i PPE-së, këtë gjë ja kam thënë zotit Rama, Ruçi si dhe aktorëve të tjerë.
Dhe ai , më mbështetjen time bëri një propozim shumë pozitiv dhe të mirë për të zgjidhur atë krizë, që më pas u refuzua dhe dihet me pas marrëveshja e 17 majit sesa i shërbeu zgjedhjeve dhe gjithë zhvillimeve të më vonshme.
Pra, unë jam marrë sepse me ka zënë halli, sepse kjo është çështja e tyre. Unë kam një avantazh në raport me çdo politikan në Shqipëri, që këtë gjë që ua them juve, ua them gjithsecilit prej tyre, por edhe të gjithëve bashkë.
Pyetje: Nuk ka vetëm një krizë brenda Partisë Demokratike, por ka edhe brenda opozitës. Është e qartë tashmë, që PD dhe LSI, ato nuk janë më aleatet e para zgjedhjeve të 25 prillit.
Rezultati për LSI ishte vërtet shkatërrues 108 mijë vota dhe vetëm 4 deputetë, pra 1 deputetë 27 mijë vota, çfarë e dëmtoi LSI-në në këto zgjedhje.
Presidenti Meta: Për mua kjo nuk ka asnjë rëndësi, kjo është një çështje e tyre, kjo është një çështje e opozitës, kjo është një çështje e LSI-së. I vetmi shqetësim, apo merak i imi, zakonisht nuk kam të tilla se bëj atë që duhet të bëj, është që, ditën që këta çuditërisht shpallën që do të linin mandatet, nuk duhet të merrja në telefon dhe t’i dërgoja sms vetëm kryetares së LSI-së dhe zotit Vasili, por duhet të kisha marrë të gjithë deputetët apo ish-deputetët e LSI-së dhe t’u thosha; që në asnjë mënyrë ju nuk duhet të lini mandatet. Por, unë mendova që këta të dy do të bënin punën e tyre, pastaj këta ta japin shpjegimet vetë.