Anëtarja e Kryesisë së PD në degën lokale të Sarandës, Matilda Qurku ka reaguar pas videos së publikuar në emisionin Fiks Fare lidhur me mbledhjen e firmave të delegatëve.
Një grup i Fiks Fare ka qenë në qytetin bregdetar në datën 12 nëntor dhe një prej anëtarëve të stafit ka firmosur formularin për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar.
“Fiks Fare mori pjesë në disa takime që Sali Berisha ka kryer nëpër qytete të ndryshme të Shqipërisë. Në takimin që pati në qytetin e Sarandës në 12 nëntor 2021,gazetarja e Fiks Fare firmosi pa hasur në asnjë pengesë përpara fillimit të takimit tek Hotel “Mediterrane” të “Foltores: Për një Parti Demokratike më të bashkuar, më të fortë, më të hapur”. Askush nuk i kërkoi kartën e anëtarësimit apo verifikoi emrin e saj në listë. Mjaftoi karta e identitetit dhe një video që vetë anëtarët e stafit ia bënë në momentin e firmosjes së formularit”, thotë Fiks Fare.
Mirëpo në reagimin e saj, Qurku sqaron se 100 firmat e delegatëve të Sarandës janë dorëzuar në zyrën e Kryetarit të Këshillit Kombëtar në datën 10 nëntor 2021 pas një verifikimi të imtësishëm, dy ditë para se të zhvillohej ‘Foltorja’.
Postimi
Foltorja dhe firmëtarët delegatë, e kanë tremb aq shumë saqë Basha ka kërkuar ndihmë nga Çakalli i Ramës… 100 firmat e delegatëve të Sarandës janë dorëzuar në zyrën e Kryetarit të Këshillit Kombëtar të PD në datën 10 nëntor (2 ditë para mbajtjes së Foltores në Sarandë), pas një verifikimi të hollësishëm. Kuvendi i datës 11 dhjetor do mbahet, s’e ndal dot as Basha e as Çakalli i Ramës. Në 11 dhjetor, delegatët e Kuvendit Kombëtar, vendosin të ardhmen e Partisë Demokratike.