Mane Lumani, një nga 4 Parodistët e Vlorës, është duke kaluar një gjendje të rënduar shëndetësore! Në heshtje dhe larg vëmendjes së opinionit, Mania i humorit shqiptar vuan pamundësinë financiare për një ndërhyrje kirurgjikale në zemër dhe prostatës.
Mania është një nga ata të katërt, të cilët si rrallë gjëra në këtë jetë u simbolizuan me emrin e qytetit! Familja e artistit ka shpërndarë në rrjetet sociale numrat e llogarisë duke kërkuar ndihmën e dashamirësve të artit dhe të Manes.
23 vjet më parë, pikërisht në nëntor të vitit 1998, qyteti u sensibilizua dhe u solidarizua me problemet e para shëndetësore të Metit të shtrenjtë, duke i mundësuar ndërhyrjen mjekësore në Itali.
Mane Lumani i përket një brezi të jashtëzakonshëm të artistëve, duke lënë gjurmë të paharrueshme për sot por edhe brezat që do të vijnë. Lehtësimi i jetës në situata të vështira, është minimumi që mund të bëjmë të gjithë bashkë.