Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi ka folur pas mbledhjes me 71 kryetarët e degëve, duke u shprehur se pjesa dërrmuese konfirmoi frymën e bashkimit që përcjell Kuvendi Kombëtar i 18 dhjetorit, dhe vetëm 5 prej tyre shfaqën shqetësime.
“Patëm një diskutim të gjatë por shumë të mirë me Kolegjin e Kryetarëve të PD, që përbëhet nga 71 kryetarët e degëve, për organizimin e Kuvendit më 18 dhjetor. Dua të ndaj me ju frymën e latë të bashkëpunimit që përcolli secili nga kryetarët e degëve. Me përjashtim të 5 kryetarëve të 5 degëve, e gjithë pjesa tjetër gjatë fjalës së tyre konfirmuan frymën e bashkimit që përcjell Kuvendi Kombëtar i PD i 18 dhjetorit 2021.
Dua të të ftoj çdo anëtar të PD që të mos shqetësohet nga lajmet e rreme se ky Kuvend do jetë Kuvendi i përjashtimit të demokratëve që mendojnë ndryshe, apo do marrin pjesë në mitingun e Berishës. 18 dhjetori nuk është për të përjashtuar demokratët, është për ti bërë të gjithë demokratët bashkë. Frymën e përçarjes gjatë këtyre dy muajve e ka përcjellë vetëm z. Berisha, dhe qëndrimi i tij kundër rregullave tona. Statutin e PD nuk po e shkelin anëtarët e PD, për fat të keq po e shkel njohësi më i mirë i statutit Sali Berisha“, tha Bardhi.
Ai zbuloi 5 degët që shprehën shqetësime për Kuvendin e thirrur nga Kryesia e PD, që janë dega e Vlorës, Devollit, Fushë-Krujës, Paskuqanit, dhe kryetari i Degës 1 në Tiranë. Bardhi tha se megjithëse ishin pakicë mendimi i tyre u dëgjua.
Sekretari i Përgjithshëm i PD kujtoi deklaratat e Palokës, duke i kërkuar Berishës që ti shpjegojë opinionit publik pse ndryshoi mendim për dorëzimin e firmave pranë Sekretariatit të PD.
“Besoj ju jeni dijeni të deklaratave publike të kryetarit të Këshillit Kombëtar, që Sali Berisha ka qenë i mendimit që nënshkrimet e delegatëve do të duhet të dorëzoheshin te Sekretariati i partisë, se kush ia ka ndryshuar mendjen dhe përse do të duhet tia shpjegojë vetë opinionit publik.
Është koha që demokratët të mos përdoren si mish për top për të mbrojtur interesin e askujt. Vendimi nuk e marr as unë dhe askush tjetër, e marrin institucionet e partisë, më 18 dhjetor është Kuvendi që demokratët të jenë bashkë për të përcaktuar rrugën e betejës për rrëzimin e regjimit të Edi Ramës. Cilido që në dy muaj i ka fryrë zjarrit të përcarjes, demokratët e kanë të qartë që nuk është në interes të PD, por të atij që është duke e bërë“, shtoi Bardhi.