Dje, me datën 21 nëntor, u shua, në Tiranë, një nga gratë më të heshtura por edhe më të kulturuara të Shqipërisë: Myriam Kamsi, bija e Gjon Kamsit, burrit të mirënjohur për fenë, atdhedashurinë dhe kulturën tij, mik e botues i veprës së Luigj Gurakuqit – e motra e studiuesit, bibliografit dhe ambasadorit të parë të Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, Willy Kamsit. Po aq atdhedashëse, sa i jati – e po aq e kulturuar, sa i vllai, ajo jetoi nën hijen e tyre, duke u shërbyer me përkushtim të rrallë, pa e hequr kurrë nga dora librin.
Në një shtëpi të vogël, që njihej nga gjithë libërdashësit si streha e librit dhe e mikut, posaçërisht e meshtarëve katolikë. Nën këtë strehë gjindeshin “thesare”: jo ari e diamantesh, po letre, sepse aty brez pas brezi qenë mbledhur një mori librash, dorëshkrimesh, dokumentesh, letërkëmbimesh, pikturash e relikesh, me vlera të pallogaritshme për historinë e Shqipërisë. Aty ruhej edhe dorëshkrimi i Letrës së famshme drejtuar nga Gjon Kamsi Enver Hoxhës, në mbrojtje të Nënë Terezës, sharë me fjalë të ndyra nga diktatori.
Pas vdekjes së Willy-t Miriam, ndonëse e dashuruar me librat, ia dhuroi thesarin e familjes Etërve Françeskanë, duke e pasuruar ndjeshëm bibliotekën e tyre. Më datën 3 nëntor 2018, në sallën “Illyricum” në Shkodër, u bë paraqitja e bibliotekës së Gjon e Willy Kamsit dhuruar bibliotekës Françeskane nga e motra Myriam. Ceremonia u organizua pranë Kuvendit të shën Françeskut në Gjuhadol, në Shkodër, ku u kujtuan Gjon e Willy Kamsi, si personalitete të shquara shqiptare. Gjon Kamsi u kujtua si ekonomist shumë i njohur dhe botues, që la një një mori të madhe shkrimesh në fushën e studimeve ekonomike, ditaresh, epistulash. Willy Kamsi, për punimet e tij si bibliotekar i censhëm, studiues, historian, albanolog. Gjon dhe Willy Kamsi punuan shumë për Shkodrën dhe Shqipërinë duke lënë pas kontribute të çmuara në të gjitha fushat.
Familja e Gjon Kamsit ka qenë shumë e afërt me fretërit franҫeskanë të Shqipërisë sidomos me At Gjergj Fishtën, At Pal Dodajn e shumë të tjerë. Willy ishte edhe një nga bashkëpunëtorët e Radio Vatikanit, ku vinte shpesh, edhe i shoqëruar me të motrën. Në këtë botë kulture jetoi Myriam – Mila për miqtë – deri dje, 22. 11. 2021, kur u shua në shtëpinë Motrave të Nënë Terezës, në Tiranë, larg Shkodrës së saj, qytetit që e deshi me gjithë zemër. Shkoi në një jetë më të mirë, duke lënë pas kujtimin e një gruaje të rrallë për fenë, atdhetarizmin, kulturën, mikpritjen, dashurinë e pafundme për njeriun, për çdo njeri që, në shtëpinë e saj të thjeshtë, pritej “si motit”, me respekt e dashuri të pashoqe. Emri i saj, i fshehur nën hijen e emrit të babës e të vëllaut, meriton të dalë në dritë të paktën sot, ditën e saj të fundit mbi dhe! Sepse ndërroi jetë një grua, që meriton të njihet nga të gjithë qoftë edhe pas vdekjes! Pushoftë në paqë! /VaticanNews/