Është e papranueshme dhe e rëndë ajo që demokratët po i bëjnë njeri tjetrit, po i bëjnë vetes së tyre këto kohe. Nuk e kam për ata që PD-në e shohin vetëm në formën e karriges, nga cilido krah qofshin, por për demokratët e thjeshtë që po shahen e sulmohen me njeri tjetrin sikur të jenë armiq!
Shkak për këto radhë në fakt u bënë disa komente e ndonjë shënim portalesh që po i fryjnë sa të mundin sherrit në PD.
Dje në Foltoren e Kurbinit paska folur dhe Ndue Lugja, i cili ndër të tjera paska thënë se po të rilindte dhe njëherë do të donte të ishte Sali Berisha! Pas kësaj erdhën “tallje” dhe ironi drejtuar Ndues!
I pashë me kujdes se kush ishin ata që “talleshin”. Shumica ishin rilindas, disa ishin profile fals por kishte dhe demokratë që kuptohej se nuk e njihnin Nduen!
Ndue Lugja prej vitesh punon në Vatikan, po në dhjetor ‘90 e në vazhdim, ishte nga studentët më trima e guximtarë që ne njohëm!
Ndue Lugja vullnetarisht shoqëronte Sali Berishën ato ditë kur secili nga ne e jo më Sali Berisha, ishte “me kokë në torbë”.
Ishte koha kur luftohej me shpirt e rrezikohej koka për liri e demokraci e nuk luftohej me brava dyersh, për çelësa e karrige zyrash boshe!
Prandaj përpara se të bëni ironi e sulmoni njeri-tjetrin, të paktën pyesni më parë se kë po sulmoni e pastaj mendohuni për hir të kujt e për çfarë e sulmoni!
E kam shkruajtur dhe një herë tjetër, ata që kontaktin e parë me PD-në e kanë pasur në momentin kur të ndenjurat e tyre ranë në kontakt me karriget e pushtetit, bëjnë mirë të paktën të heshtin përpara atyre që kanë rrezikuar e sakrifikuar gjithçka për PD-në!
Mjaft i quajtët “të vjetër” se janë 100 herë më të rinj se ju që ideal keni vetëm karrigen! /Publikuar në Facebook nga Edi PALOKA, kryetar i Këshillit Kombëtar të PD- së/