Një aksident i rëndë me një viktimë dhe tre të plagosur rëndë, është regjistruar pak para mesnatës së sotme në rrugën e Rinasit. Siç edhe duket nga pamjet, një automjet ambulancë është përplasur kokë më kokë me një makinë tjetër.
Ambulanca është përplasur me një automjet Volkswagen, tip “Golf 5”. Përplasja ka qenë aq e fortë sa autoambulanca ka përfunduar mbi barrierat metalike të rrugës.
Autoambulanca ishte nisur nga qendra shëndetësore Fushë Krujë në drejtim të Tiranës, për urgjencë mjekësore, por në vendin e quajtur Kthesat e Rinasit u aksidentua, duke i marrë jetën pacientes dhe personit tjetër që e shoqëronte.
Mbeten të paqarta shkaqet e këtij aksidenti fatal.
NJOFTIMI I POLICISË
Me datë 27.11.2021, rreth orës 23:50, në rrugën e “Rinasit”, janë përfshirë në aksident mjeti me drejtues shtetasin A. A., me mjetin e ambulancës të spitalit të Krujës.
Si pasojë e përplasjes, ka humbur jetën në vendngjarje pacientja që ndodhej në ambulancë, shtetasja A. B., 42 vjeçe.
Gjithashtu janë dëmtuar dhe ndodhen në spital në gjendje të rëndë për jetën shtetasit A. B., 30 vjeç (infermieri i ambulancës), M. B., 32 vjeçe, të cilët ndodheshin në ambulancë, dhe shtetasi Y. G., 22 vjeç, pasagjer i mjetit tjetër.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.