Nga Blerti DELIJA
Historia “e lagu apo s’e lagu bishtin” u përsërit edhe këtë vit. Një pjesë festuan 29 Nëntorin si ditë e Çlirimit të vendit nga nazi- fashitët në Luftën e Dytë Botërore (L2B). Pjesa tjetër, e festoi një ditë më parë me 28 Nëntor edhe Çlirimin e vendit në L2B. Edhe pse zgjat prej 30 vitesh kjo “dilemë”, është e qartë se “tjetërkund fle lepuri”.
Gjykoj se problemi i madh i Shqipërisë e shqiptarëve është mosndarja njëherë e mirë dhe përfundimtare me diktatorin e diktaturën. Teksa edhe me paralement, përmes një rezolute, kemi dënuar krimet e komunizmit, kemi hedhur hapin e parë. Edhe pse kjo nismë, ishte në kuadër të strukturave ndërkombëtare ku aderojmë, pra me “orientim nga lart dhe me iniciativë nga poshtë”, siç thuhej dikur.
Për ironi të fatit këto 30 vite, diktatori dhe diktatura e ngritur në sistem prej tij, anatemohet deri në urrejtje nga një pjesë jo e vogël e shqiptarëve, brenda e jashtë kufijve të këtij vendi. Paralelisht, për ironi tragjike të fatit, të tjerë shqiptarë, që jetojnë po brenda kësaj republike, glorifikojnë vitet e sundimit të diktatorit dhe të diktaturës. Nuk lënë rast pa e demonstruar këtë dhe e gjitha, në emër të “demokracisë”.
Në fakt, bota e qytetëruar prej dekadash tashmë, ka vendosur në një linjë përçmimi si fashizmin ashtu edhe komunizmin. Madje në shumë raste, komunizmi konsiderohet edhe më i egër, më i dëmshëm për pupuj të veçantë në Europën e Lindjes. Stalini është zyrtarisht diktator, edhe pse ka akoma ithtarë shumë të paktë që Rusi e gjetkë që e glorifikojnë. Faktet e krimeve monstruoze të tij, tashmë janë në sytë e të gjithë njerëzimit. Ai vendoset përkrah Hitlerit, madje nga shumëkush, konsiderohet edhe më i dëmshëm për njerëzimin.
Gjermania e ka zgjidhur me kohë “historinë me Hitlerin”. Edhe Gjykata Supreme e Austrisë, vendlindja e Hitlerit, në 2019- ën i hapi rrugë shembjes së shtëpisë ku lindi diktatori i ardhshëm. Kjo, sepse nuk duhet të kthehet në objekt peleginazhi nga ekstremistët e djathtë. Në Shqipëri, akordohen fonde shtetërore për mirëmbajtjen e restaurimin e shtëpisë së diktatorit shqiptar.
29 Nëntori është vetëm sebepi për të tërhequr vëmendjen e shqiptarëve për 30 vite nga thelbi i problemit të vertetë. Shfaqja e imazheve të dikatorit për efekt glorifikimi, shprehja e mirënjohjes për “veprat” e tij, përhapja e propagandimi i ideve të tij, duhet ndaluar me ligj. Me penalitete nga gjobat deri tek heqja e lirisë.
Trumpetimi i “arritjeve” në kohën e dikatutës, uzinat, fabrikat, zhdukja e analfabetizmit, elektrifikimi e të tjera si këto, nuk duhet të mbulojnë persekucionin, internimin, burgosjet, plagosjet, vrasjet, ekzekutimet pa gjyq të kundërshtarëve të regjimit. Edhe Hitleri “e bëri lule” Gjermaninë, edhe Duçja (Musolini) ndërtoi qytete të tëra në Itali, por sot identifikohen nga vendet e tyre por edhe globi si njollë e zezë e njerëzimit.
Nëse duhet të kërkohet faji apo fajtori, ai është i të djathtëve dhe të majtëve në këtë vend të qeverisur thuajse përgjysmë në këto 30 vite. Askush nuk pati guximin, vendosmërinë që përtej mazhorancave të thella në parlament, të ndërmerrnin një nismë ligjore kundër komunizmit, ndalimit të glorifikimit të diktatorit e diktaturës.
Me shumë mundësi, as nuk do të ketë nisma të tilla. Megjithatë, demokracia ofron edhe mundësi të tjera vendimmarrje. Një nga këto, është referendumi mbarëpopullor. Të jenë vetë shqiptarët që të vendosin. Nëse duan të vazhdojnë me glorifikimin e diktator- diktaturës apo duan ta fshehin/fshijnë nga kujtesa e sotme dhe e neserme e këtij vendi.
Të glorifikosh e të nderosh sot diktatorin dhe diktaturën, teksa mijëra shqiptarë vazhdojnë të identifikohen si viktima të tyre për 45 vite, nuk nderon asnjë shtetas të Shqipërisë. Me shumë mundësi, do të merrte fund njëherë e mirë edhe “dilema” e 28 apo 29 Nëntori që na shoqëron prej mëse 30 vitesh në këtë vend.