Një atentat mafioz i planifikuar për t’u kryer në Tiranë, në shënjestër të të cilit ishte Prend Paluca, u parandalua nga policia e Lezhës.
Edmir Vlashi dhe Hektor Ndoka, baxhanakë me njëri-tjetrin, personat që do të kryenin vrasjen, janë shpallur në kërkim, ndërsa në pranga përfunduan 3 persona të tjerë bashkëpunëtorë me ta, pronarë të një lokali që përdorej si bazë armatimi dhe dhëndri i tyre. Nga hetimet policia zbuloi se në 2017 në Belgjikë, Edmir Vlashi i grabiti një sasi të madhe droge Prend Palucës. Prej asaj kohe, mes tyre lindi një konflikt i ashpër.
31-vjeçarët Hektor Ndoka dhe Edmir Vlashi, të dënuar më herët në Belgjikë për grabitje me armë e drogë, besohet sipas policisë se po e ndiqnin këmba këmbës objektivin e tyre, Paluca, dhe po prisnin momentin për ta ekzekutuar. Mesa duket ky i fundit e kuptoi që ishte vënë në shënjestër dhe informoi policinë.
Nga hetimet u zbulua se për të realizuar planin, Ndoka dhe Vlashi përdorën si bazë për armët restorantin e Nikoll e Marie Markut në Lezhë, dhe dhëndrin e tyre Mark Lamkja si bashkëpunëtor për realizimin e planit. Çifti Marku dhe dhëndri i tyre, i cili u arrestua me pistolete ne brez, gjatë ndërhyrjes së policisë tentuan të fshihnin provat.
Drejtori i Policisë Lezhë, Oltion Bistri në një dalje për mediat tha se policia sekuestroi një arsenal armësh si edhe një shumë të konsiderueshme parash. Si rezultat i kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale:
2 mina me telekomandë, me lëndë eksplozive C-4, të përgatitura gati për shpërthim, të cilat sipas të dhënave rezulton se janë prodhuar në një vend fqinj me Shqipërinë;
88.900 euro të përfituara nga aktiviteti kriminal në fushën e lëndëve narkotike dhe krimeve ndaj personit;
2 armë automatike me shënjestër optike, 2 kallashnikovë, 1 armë automatike model “Scorpions”, me silenciator me dy krehra, 1 armë zjarri pistoletë model “Glock”, me një krehër me 11 fishekë, fishekë luftarak, kapsolla detonatore, fitil zjarrpërcejllës, 1 armë gjahu, 2 radio marrëse-dhënëse si ato të Policisë, 2 skafandra motori dhe 1 automjet.
Hetimet zbuluan gjithashtu se Edmir Vlashi kishte tentuar edhe më parë të hakmerrej ndaj familjes së Prend Palucës, për shkak se dyshohet se tentoi të shpërthente me eksploziv banesën e Ndoc Palucës në Kamzë. Ndërkohë që Preng Paluca dhe bashkëshortja e tij I shpëtuan një atentati të mirëoganizuar pak kohë më parë, që ndodhi në sy të vajzës së tyre të mitur. /BW/