Në vitin 2009, Kuvendi i asaj kohe e zyrtarizoi 8 Dhjetorin si Ditën Kombëtare të Rinisë. Referuar 8 Dhjetorit të parë, atij të vitit 1990, përfshirja në festat zyrtare e kësaj dite, ishte shumë e vonuar. Megjithatë, ngushëllohemi me shprehjen “më mirë vonë se kurrë”.
Sot mbushen 31 vjet nga 8 Dhjetori i parë. Pavarësisht se tashmë është ditë zyrtare fetse që mund dhe duhet të festohet nga të gjithë, kjo datë është zanafilla e lëvizjes që solli 4 ditë më vonë themelimin e Partisë Demokratike.
Është ditë feste, pushimi por edhe reflektimi. Sot, 31 vite më pas, për herë të parë, Partia Demokratike e feston 8 Dhjetorin e ndarë në dy vende të ndryshme. Në një sallë ishte kryetari aktual i PD- së Lulzim Basha, në një shesh në Qytetin “Studenti” ishte Sali Berisha.
Është mesazhi më i keq që mund të jepet pas 31 viteve. Në 1990- ën, studentët u bashkuan thuajse të gjithë, ata që nuk kishin asnjl lidhje direkte me nomenklaturën komuniste por edhe të tjerë që vinin nga familje të privilegjuara të sistemit komunist. Natyrshëm, sepse ajo që i bashkonte sihte shumë më e rëndësishme se ajo që i ndante.
Sot, na ndajnë vetëm 3 ditë nga ajo që mbase mund të jetë çarja më e madhe e mundshme e PD- së. Me 11 dhjetor Sali Berisha, me firmat e rreth 4200 delegatëve ka mbledhur Kuvendin Kombëtar, synimi kryesor i të cilit është shkarkimi i Lulzim Bashës, kryetar aktual i PD- së.
Pavarësisht asaj që mund të ndodhë, me 18 dhjetor Lulzim Basha, ka thirrur një Kuvend Kombëtar tjetër, sipas statutit, me vendim të Kryesisë. Ajo që mbase do të ishte komenti më i përshtatshëm në këtë rast…”dhe demokratët rrinë e vështrojnë”.
Edhe sot, me 8 Dhjetor, palët u përpoqën të tregonin forcën e tyre. Dy palët po ecin në drejtime diametralisht të kundërta, në një kohë kur Shqipëria ka nevojë ulëritëse për një opozitë të fortë, pse jo, edhe si Lëvizja Studentore 1990, duke dalë në sheshe proteste. Pa qenë antar apo simpatizant i PD- së, por thjesht shqiptar i përgjegjshëm, çarja e PD- së dhe dobësimi i saj, është një lajm shumë i keq për vendin tonë.
Sot, 31 vite pas 8 Dhjetorit të parë, po kuptojmë të gjithë bashkë se nuk e kemi përvetësuar mësimin e historisë së vitit 1990. Shqiponja jonë vertetë ka dy kokë por ajo nuk duhet të jetë personifikim i asnjë partie politike, as edhe i Partisë Demokratike. Ajo duhet të jenë simbol i unitetit të shqiptarëve për interesa kombëtare. Po të doni, edhe i dy “armiqve” tradicionalë të këtyre 31 viteve, PS- së dhe PD- së. /Nga Blerti DELIJA/