Pas më shumë se dy muajsh e gjysmë takime me simpatizantët e tij, Sali Berisha zhvillon sot në orën 10:00 në stadiumin “Air Albania” Kuvendin Kombëtar të konfirmuar, sipas tij, nga më shumë se 4200 delegatë të PD-së që përbëjnë edhe më shumë se gjysmën e anëtarëve të Kuvendit.
17 orë para mbledhjes në “Air ALbania”, lideri historik ftoi edhe kryedemokratin Lulzim Basha bashkë me deputetët.
“Unë ftoj të themi dhe kryetarin në letër të saj, Lulzim Basha, të gjithë drejtuesit dhe deputetët e PD-së, të gjithë drejtuesit dhe deputetët e PD-së, të gjithë ata që mendojnë ndryshe nga ne, të vijnë nesër në Kuvendin e rithemelimit. Ky Kuvend është për të gjithë demokratët. Mungesa nuk i përjashton ata nga kontributet në Partinë Demokratike në të ardhmen. Ftoj të gjithë anëtarët e Partisë Demokratike, të cilët kanë mbështetur lëvizjen ose jo, të vijnë nesër në ‘Air Albania’ për të ndjekur këtë moment të rëndësishëm të historisë, rivendosjen e pluralizmit dhe rithemelimin e Partisë Demokratike”, tha Berisha.
Ndërsa një rekomandim miqësor lideri historik e pati për ata që do t’i bashkohen Kuvendit.
“Në një forcë të vërtetë opozitare, të sigurt, që do të udhëheqë revolucionin paqësor të shqiptarëve. Si dikur përmbysëse e sistemit komunist, sot në përmbysje të narkoshtetit. Rikthimin e votës së lirë për anëtarët, simpatizantët e PD-së brenda kësaj partie. Rikthimin e votës së lirë për Shqipërinë, shqiptarët në tërësi. Të dashur delegatë dhe delegate, moti është një faktor që nuk varet nga ne, me gjithë zjarrin dhe entuziazmin që keni nga brenda. Sugjerimi miqësor është që të vinim të përgatitur me veshje të trasha të mundur për të mos ndier të ftohtin. Natyrisht shiu nuk bie në zonën ku jemi ne si delegatë, por klima është kjo që ju e shihni vetë”, tha Berisha.
PËRGATITJET DHE AXHENDA
Që në orët e para të ditës së djeshme, punonjës të shumtë teknikë zbarkuan në stadiumin “Air Albania” për të bërë përgatitjet e fundit për Kuvendin e sotëm.
Në mesin e fushës inxhinierët elektrikë dhe skenografët kanë ngritur podiumin me ekrane dhe drita ku do të ngjiten personat që do të mbajnë fjalimin.
Në tribunën në krahun perëndimor të stadiumit janë vendosur banera të mëdhenj me sloganin “Më të bashkuar, më të fortë”. Ndërkohë, në krahun lindor të stadiumit dhe në pjesët anësore do të vendosen pjesëmarrësit në mbledhje.
Në katin e parë të stadiumit “Air Albania”, në anën lindore me kapacitet 5-6 mijë veta, do të vendosen delegatët. Ndërsa në katin e dytë të stadiumit dhe në pjesët anësore do të vendosen anëtarët e PD-së apo simpatizantët.
Në çdo portë hyrëse të stadiumit, delegatët do duhet të kenë me vete kartën e identitetit dhe kartën e demokratit. Personat përgjegjës do t’i pajisin delegatët me një draft me ndryshimet statutore.
Ndërkohë, përmes një pajisjeje elektronike dixhitale do të bëhet skanimi i barkodit të delegatit, ndërsa emri dhe funksioni i delegatit do të shfaqet në një ekran të madh, ku do të jetë i mundur identifikimi nga mediat.
Pasi të plotësohet numri mbi 1800 delegatë, mbledhja e Kuvendit do të konsiderohet e hapur dhe vetëm pasi të plotësohet numri mbi 4 mijë delegatë do të nisë diskutimi për ndryshimet statutore.
Siç e thamë pak më sipër, në momentin që delegatët futen në një nga portat hyrëse të stadiumit do të pajisen me një draft të ndryshimeve në Statut. Ata fillimisht do të kenë mundësi të njihen me ndryshimet që do të propozohen.
Pasi të plotësohet edhe kuorumi me delegatët, në podium do të ngjitet i pari për të mbajtur fjalën e tij kryetari i Këshillit Kombëtar, Edi Paloka.
Ndërkohë, më pas do të lexohen me radhë ndryshimet që propozohen në Statut. Pjesë e ndryshimeve pritet që të jetë edhe ajo që është pagëzuar nga Sali Berisha gjatë takimeve në foltore si neni “Basha”.
Në të do të sanksionohet që kryetari i partisë, nëse humb zgjedhjet e përgjithshme, atëherë është automatikisht i shkarkuar. Ndërsa rezervohen edhe ndryshime të tjera.
Pas kësaj faze, në podium do të ngjitet lideri historik i PD-së, Sali Berisha, për të mbajtur fjalimin e tij, ku pritet që t’u drejtohet delegatëve edhe me kërkesën për mocion mosbesimi ndaj kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Ndërkohë, deri më tani në planin e organizatorëve nuk parashikohet që pas mbledhjes së Kuvendit të shkohet në selinë blu.
Ndonëse mbetet ende për t’u diskutuar nga organizatorët, në planet e “Foltores” pas Kuvendit parashikohet që të zhvillohet edhe një protestë dhe ndërkohë gradualisht do të zhvillohen edhe takime për hapjen e partisë. /Nga Mariglen KUME, PanoramA/