Atentati ndaj 55- vjeçarit Rakip Roli në fshatin Sanxhak të Kurbinit, i kryer mëngjesin e djeshëm, dyshohet se është kryer nga dy persona me lidhje familjare dhe dyshohet se vrasja ka lidhje me konflikte midis tyre dhe viktimës.
Autori i dyshuar i atentatit me armë zjarri është shtetasi Skënder Lika, i cili së bashku me djalin e tij, i morën jetën 55-vjeçarit, i cili sapo kishte dalë nga banesa me automjetin e tij luksoz.
Skënder Lika është banues gjithashtu në fshatin Sanxhak. Policia ende nuk ka një pistë zyrtare për krimin e rëndë. Skënder Lika, autori i dyshuar i vrasjes së Rakipi Rolit, u arratis menjëherë nga vendi i krimit së bashku me të birin.
Vonesa e ardhjes së Policisë në vendin e atentatit ka bërë që autorët të largohen me shpejtësi, fillimisht në këmbë dhe më pas dyshohet se janë marrë nga një automjet. Në orët e pasdites qarkulloi lajmi se ata mund të ishin larguar në drejtim të Elbasanit. Për këtë arsye, Policia ngriti postblloqe edhe në këtë qytet në përpjekje për të arrestuar vrasësit e biznesmenit.
Skënder Lika është xhaxhai i Ilir Likajt (Xhepajt), i arrestuar për vrasjen e dy biznesmenëve në një hotel në Mamurras, përkatësisht të shtetasve Paulin Gjergji dhe Bujar Lika (ky i fundit pa lidhje farefisnore me autorin e vrasjeve).
Xhepaj dyshohet se bashkë me Eduart Lamajn të arrestuar në Tiranë si edhe dy persona të tjerë ekzekutuan më datë 30 maj dy biznesmenët. Gjithashtu, Skënder Lika është vëllai i Myslim Likës, i plagosur në një atentat në Mamurras.
ATENTATI NDAJ VËLLAIT
Myslim Lika ishte në shënjestër të një atentati më 28 janar të këtij viti. Nga të shtënat me armë zjarri, 60- vjeçari mbeti i plagosur rëndë. Atentati u organizua pikërisht në momentin kur Lika po kthehej nga funerali i së motrës.
Ngjarja ndodhi rreth orës 14:00 të së enjtes, ndërsa objektiv i sulmit me armë ishte Myslim Lika, babai i Ilir Xhepaj (Lika) i arrestuar si i përfshirë në vrasjen e biznesmenëve Bujar Lika dhe Paulin Gjergji, ngjarje e ndodhur në maj të vitit 2020 në një lokal në autostradën Milot-Mamurras.
Sipas Policisë, 60-vjeçari Lika ka qenë duke lëvizur në këmbë kur është qëlluar me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar. Nga të shtënat ai ka marrë tre plumba, dy në krah dhe një në kraharor dhe është shtruar në gjendje të rëndë në Spitalin e Traumës në Tiranë. Dëshmitarë thanë se Lika po kthehej nga ceremonia mortore e së motrës, e cila u vetëvra me armë gjahu dy ditë më herët.
Lika, sipas Policisë, me precedentë penalë, ka qenë i dënuar me 25 vite burg për vrasje në vitin 2000. Hetimet janë përqendruar te veprimtaria e tij dhe e të birit, i cili krahas dyshimeve për përfshirje në vrasjen e biznesmenëve, rezulton të jetë dhe autor i një plagosjeje të ndodhur pak muaj më parë në Laç.
Bashkëshortja e 60- vjeçarit, Dilë Lika, një muaj përpara se burri i saj të qëllohej me tre plumba kishte bërë denoncim në Komisariatin nr. 3 në Tiranë.
Sipas dëshmisë që ajo ka dhënë para oficerëve të Policisë, persona të paidentifikuar e merrnin në telefon dhe i shkruanin mesazhe me tekst: “Ku e ke djalin? Të ka rënë prapë në burg? Përse nuk përgjigjesh, apo nuk të vjen mirë?”.
Këto janë disa nga mesazhet e dërguara në numrin personal të gruas, pas arrestimit të djalit të saj Ilir Lika (Xhepaj), i cili është vënë nën akuzë si bashkëpunëtor në ekzekutimin e biznesmenëve Bujar Lika dhe Paulin Gjergji në Gjorm të Kurbinit.
EKZEKUTIMET E BIZNESMENËVE
Biznesmenët Bujar Lika, 37 vjeç dhe Paulin Gjergji, 53 vjeç, u ekzekutuan mbrëmjen e 30 majit të vitit të shkuar në një hotel në zonën e Mamurrasit. Lika vdiq në vendin e ngjarjes, Gjergji ndërroi jetë në Spitalin e Traumës në Tiranë. Nga përplasja me armë brenda hotelit mbeti i plagosur Kreshnik Tusha, në radhët e grupit të atentatorëve.
Viktima Bujar Lika është gjetur nga Policia me armë në dorë, ndërsa burime bënë të ditur se ai ka qëlluar deri sa i janë mbaruar fishekët.
Nga ana tjetër, Bujar Lika rezulton një emër i njohur për Policinë, pasi në vitin 2015 ishte mes të hetuarve për vrasjen e Enton Nikajt, ngjarje kjo e ndodhur në zonën e Dajtit në Tiranë. Në lidhje me këtë krim të dyfishtë janë dërguar për gjykim katër persona, të akuzuar për “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese e kryer në bashkëpunim” dhe “Armëmbajtje pa leje”.
Eduart Lamaj akuzohet në rolin e ekzekutorit, ndërsa miqtë e tij, Ilir Lika (Xhepaj), Klaudio Përkolaj dhe Oltion Vlashi, akuzohen në rolin e ndihmësit në vrasje.
Sipas Prokurorisë, motivet e ngjarjes mbeten të paqarta, por ka dyshime të forta se katër të akuzuarit në këtë dosje kanë pasur si qëllim grabitjen e biznesmenit Paulin Gjergji, ngjarje që përfundoi më pas në përdorimin e armës, duke qenë se edhe Bujar Lika ka qenë i armatosur. /Nga Elvis HILA, PanoramA/