Një memorial prej xhami është vendosur mëngjesin e të shtunës në ambientet e jashtme të Partisë Demokratike. Ky memorial, mësohet se mban firmat e firmëtarëve të themelimit të Partisë Demokratike.
Ai do të zbulohet sot në orën 12:00 në një ceremoni ku kryetari Lulzim Basha do të ketë edhe një prononcim.
Ndërkohë Sekretari i PD, Gazment Bardhi ka mbërritur pak para orës 10:00 në ambientet e selisë blu e pritet që aty të mblidhen në vijim demokratët e ftuar nga kryedemokrati për të festuar 31-vjetorin e themelimit të partisë së parë opozitare.
Mësohet se në hollin e selisë së Partisë Demokratike do të zhvillohet edhe një ceremoni.
“Demokracia u transformua nga një koncept në një ideal të pathyeshëm më 11 dhjetor 1990, në ditën kur vlerat dhe liria e shqiptarëve triumfuan mbi gjithçka! Le të kremtojmë së bashku këtë ditë të shënuar”, shkruhet në ftesën e Bashës drejtuar demokratëve.
Kujtojmë që kreu i PD-së nuk e njeh Kuvendin Kombëtar që do të mbahet të shtunën, ndërkohë që zyrtarisht PD e ka cilësuar atë si tubim.