Ish-kryeministri Sali Berisha ka folur pak para nisjes së Kuvendit Kombëtar të thirrur prej tij, duke e cilësuar kreun e PD-së Basha një të pakallur që dërgon mesazhe turpi.
“Besoj se ai është prej kohësh një i pakallur, por Kuvendi merr vendimet e veta. Mesazhet janë histori turpi dhe morën përgjigjen më të shkëlqyer nga demokratët dhe nga më të mirët e shqiptarëve“, tha ish-kryeministri.
“E jashtëzakonshme dita, në historinë e demokracisë shqiptare kjo shënon një nga ngjarjet më të mëdha. Kjo shënon mrekullinë e dytë më të madhe në historinë e lirisë së këtij kombi, triumfi i revolucionit paqësor në momentet më dramatike të vendit.
Asgjë, siç e shihni nuk pengoi dhe nuk pengon djemtë dhe vajzat, burrat dhe gratë e lirisë për t’u bashkuar sot në rithemelimin e PD dhe të pluralizmit shqiptar. Mesazh më i bukur, më i madh, më i fuqishëm që i dërgojnë sot shqiptarëve në mbarë vendin, jashtë dhe në diasporë. Iu dërgojnë mesazh miqve tanë“, u shpreh më herët Berisha.
Ndërkohë, lideri demokrat, Lulzim Basha në 31-vjetorin e themelit të PD-së, ka dhënë një mesazh për mediat, paralelisht kur ka nisur edhe Kuvendi i thirrur nga Berisha.
Sipas Bashës, kjo është një ditëlindje e thyer nga ata që sipas tij e përçanë PD-në, duke akuzuar kështu Berishën.
“Është një ditëlindje e thyer nga ata që e përçanë PD për interesat e tyre. Por nga kjo ditëlindje PD do të dalë e bashkuar dhe e vendosur për demokratët dhe jo për interesat personale.”, tha ai.