Vllaznia dhe Skënderbeu luajnë nesër në 16:45 në “Loro Boriçi”. Përpara sfidës së javës së 13-të në Superligë, ka folur edhe trajneri I shkodranëve, Thomas Brdaric. Gjermano-kroati ka vlerësuar korçarët, teksa I është përgjigjur edhe Ilir Dajës pas deklaratave të trajnerit të Partizanit, në humbjen e të kuqve në Shkodër pak ditë më parë.
“Ne jemi profesionistë dhe mendoj se është e nevojshme që të jemi lart me paraqitjen. Duhet të vazhdojmë trendin e rezultateve dhe të përqëndrohemi në gjërat thelbësore.
Gurishta dhe Krymi mungesa? Mendoj se ekipi ka vetbesim. E kam thënë gjithmonë se nuk kemi vetëm 11 lojtarë. Kemi disa lojtarë që janë gati dhe duan rastin për të marrë shansin për nesër. Janë gati për të treguar veten dhe të tregojnë se janë të rëndësishëm në ekip.
Fangaj apo Kruja në vend të Gurishtës? Një nga ata do jetë.
Skënderbeu dhe renditja poshtë? Për mua është një ekip interesant, me disa lojtarë që vlejnë. Kanë bërë ndeshje të mira. Dimë sesi të përballemi me këto lloj skuadrash. Duam që nesër të shkaktojmë humbjen e tyre. Të përballemi me ta me përqëndrim dhe të tregojmë sa vlejnë.
Vendet e kreut? Qëllimi ynë është të mbyllim zonën me ekipet që janë para. Nesër është betejë e re, sepse në të shkuarën nuk e kemi bërë këtë, afrimin me vendet sipër. Nuk mund ta nënvlerësojmë Skënderbeun.
Intervista e Dajës për fshehjen e topave? E kuptoj pak që është nevrik pas ndeshjes. Janë justifikime të ulëta, të përqëndrohet te ekipi I tij dhe unë te imi”, tha Brdariç.