Vllaznia do të luajë nesër ndeshjen e javës 13-të të Superligës ndaj Skënderbeut. Sfida do të luhet në “Loro Boriçi” dhe do të nisë në orën 16:45. Sot në konferencën për shtyp në krah të trajnerit Brdaric ishte edhe Elvedin Heric.
Mesfushori 24-vjeçar ka luajtur 15 ndeshje me fanellën shkodrane këtë sezon në të gjitha kompeticionet, ndërsa në fjalën e tij u shpreh:
“Jam shumë i kënaqur pasi jam duke e shijuar shumë Shqipërinë. Njerëzit në Shkodër janë shumë të sjellshëm dhe më japin shumë mbështetje”.
Ndeshje e rëndësishme ndaj Skënderbeut? “Çdo ndeshje është e rëndësishme dhe duhet të japim maksimumin tonë në këtë ndeshje. Do të jetë një ndeshje e luftuar dhe ne duhet të bëjmë më të mirën tonë në mënyrë që të festojmë më pas me tifozët tanë”.
I kënaqur për aspektin personal? “Pritshmëritë e mia janë gjithmonë të larta dhe kam qëllim që të tregoj se jam gati për të luajtur. Nesër kur të jetë mundësia për të luajtur, unë do të jap më të mirën time”.
E shikon Vllazninë si një trampolinë? “Për momentin jam i përqendruar te Vllaznia dhe jo se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Dua të jap maksimumin tim këtu”, u shpreh Heriç.