Si çdo vit, në Shkodër është përkujtuar “13 dhjetor 1990”. Ceremonia e rastit është organizuar pranë memorialit që përjetëson këtë ngjarje. Organizimi është bërë nga shoqata që mban emrin e ngjarjes dhe Bashkia e Shkodrës.
Pas ekzekutimit të Himnit Kombëtar, janë vendosur kurora me lule nga Shoqata “13 dhjetori”, Bashkia Shkodër dhe PD Shkodër. Si zakonisht, është kaluar në përshendetjet e rastit nga kryetari i Shoqatës “13 dhjetori” Ervin Gjini, zëvendëskryetari i Bashkisë Shkodër Tonin Dedaj dhe antari i kryesisë së PD Shkodër Arben Lushaj, njëkohësisht kryetar i Grupseksionit 4/4.
Data 13 dhjetor 1990 shënon përpjekjen e parë në Shqipëri për rrëzimin e busteve e simboleve të diktaturës komuniste. Përballë ish- Komitetit Ekzekutiv të PPSH (sot Bashkia Shkodër), ishte një bust i diktatorit Enver Hoxha.
Rinia e Shkodrës por edhe qytetarë të të gjitha moshave e gjinive, vendosën ta shkatërrojnë atë simbol të diktaturës. 13 dhjetor 1990 ishte në vazhdën e lëvizjeve të tjera antikomuniste, edhe në 14 janar 1990, 16 qershor 1990 etj. /ShkodraWeb/