Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK ka reaguar me një njoftim zyrtar për arrestimin në Itali të ish-Kryeprokurorit Adriatik Llalla. Mësohet se Llalla është arrestuar në datën 10.12.2021 nga autoritetet policore italiane.
Më datë 14 dhjetor, SPAK ka dorëzuar tek Ministria e Drejtësisë dokumentacionin e nevojshëm për ekstradimin e Adriatik Lallës nga Italia në Shqipëri.
“Më datë 13.12.2021 Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, mori njoftim nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, se në datë 10.12.2021, autoritetet policore italiane kanë arrestuar me qëllim ekstradimi në vendin tonë shtetasin Adriatik Llalla.
Sot në datë 14. 12. 2021 Prokuroria e Posaçme i ka përcjellë Ministrisë së Drejtësisë dokumentacionin e nevojshëm për ekstradimin e shtetasit Adriatik Lalla nga Italia në Shqipëri“, thuhet në njoftimin e SPAK.
“Arratia” e ish-Kryeprokurorit mori fund më 10 dhjetor, afro 3 muaj pasi u shpall fajtor dhe u dënua me 2 vjet burg me vendim të formës së prerë nga Apeli i Posaçëm, vendim i datës 22 shtator.
Gjykata e Apelit të Posaçëm ka lënë në fuqi vendimin e dhënë më 20 maj nga GJKKO, që përfshin edhe 5 vite heqje të së drejtës për të ushtruar funksione publike si dhe konfiskim të pasurisë.
Ndërkohë, Llalla nuk ka qenë i pranishëm në seancë, ndërsa avokati i tij Sokol Hazizaj deklaroi atëherë se nuk ishte në dijeni të vendndodhjes së ish- Kryeprokurorit.
Llalla u dënua nga Shkalla e Parë me 2 vite burg dhe disa pasuri që iu sekuestruan e i kaluan shtetit me akuzën e deklarimit dhe fshehjes së pasurisë.