Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka reaguar pas lajmit të arrestimit me urdhër të SPAK, të ish-ministrit të Mjedisit Lefter Koka. Në një postim në Twitter, diplomatja amerikane thotë se veprimet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, sidomos këtë javë, ” tregojnë se askush nuk është mbi ligjin”.
“Veprimet e SPAK, sidomos këtë javë, tregojnë se askush nuk është mbi ligjin. Mund të vraponi por nuk mund t’i fshiheni më ligjit. Reforma në drejtësi po jep rezultate konkrete”, shkruan Yuri Kim.
Bëhet me dije se ish-ministri i Mjedisit akuzohet për veprat penale: “shpërdorim detyre”, “pastrim parash” dhe “korrupsion”.
Ai është vënë nën hetim nga SPAK pas kallëzimit të bërë nga LSI për aferën e inceneratorëve. Kujtojmë që Lefter Koka u rizgjodh deputet i qarkut të Durrësit në zgjedhjet e 25 prillit, por hoqi dorë nga mandati.