Arsid Kruja, një nga lojtarët më të mirë në fushë në përballjen ndaj Skënderbeut, është i mendimit se Vllaznia ka merituar gjithçka në fitoren me korçarët. Ai pohon se skuadra e tij e meriton që në fund të sezonit të jetë pretendente kryesore për titullin kampion. Ai vlerëson situatën që është në skuadër dhe për më tepër konkurrencën brenda ekipit shkodran.
Një fitore me shumë vlerë ndaj Skënderbeut…?
Fitore që neve na duhej duke ditur se Skënderbeu ka një ekip shumë të mirë. Një fitore që na afron më shumë rreth arritjes së objektivave tanë si klub.
A ka ndryshuar situata te Vllaznia pas këtyre rezultateve pozitive?
Pavarësisht disa ndeshjeve me rezultat negativ, ne entuziazmin e kemi pasur gjithmonë, por futbolli kështu është, ka edhe momente kur nuk mund të marrësh dot rezultate të mira. Ne tani kemi marrë fitore të rëndësishme dhe normalisht që është diçka pozitive për ekipin në përgjithësi.
Mund të themi se e kaloi Vllaznia krizën e rezultateve?
Shpresoj që të kemi ecuri pozitive, por ne duhet të jemi të gatshëm gjithmonë, pavarësisht rezultatit, edhe kur marrim një rezultat negativ duhet ta lëmë pas dhe të arrijmë të mobilizohemi për ndeshjen e radhës që ta fitojmë.
Rivaliteti në skuadër duket i madh?
Kur ka konkurrencë në ekip, normal që ka edhe kualitet, gjë që shumë skuadra të Kategorisë Superiore nuk e kanë. Ndërsa ne e kemi dhe është diçka pozitive, kur ke më shumë alternativa lojtarësh. Konkurrenca pa dyshim që rrit cilësinë brenda grupit.
Mendoni se këtë vit mund të jetë radha për të ngritur titullin?
Mendoj që kemi lojtarë shumë cilësorë dhe shpresoj që këtë vit të dalim kampion. Besoj se ka ardhur koha që ta sjellim titullin në Shkodër, pasi mungon prej shumë vitesh. Sezonin që kaloi fituam Kupën e Shqipërisë, ndërsa këtë sezon duhet të marrim kampionatin, por gjithmonë të jemi me këmbë në tokë.
Java e ardhshme përballë Dinamos. Si e shikoni këtë sfidë?
uk ka asnjë kundërshtar të lehtë në këtë kampionat. Diferencat janë të vogla. Ne si Vllazni e marrim seriozisht çdo takim. Dinamo është një kundërshtar jo i lehtë, por ne shkojmë në atë ndeshje për të marrë maksimumin e pikëve. /Nga Admir URUÇI, PANORAMASPORT.AL/