Edi Martini është rikthyer sërish në krye të stolit të Teutës. Vendimi është marrë sot në mbrëmje nga presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelliu. Tre ndeshjet e fundit të durrsakëve e kanë bërë të reflektojnë kreun e klubit kampion dhe në fund ka marrë vendimin surprizë.
“Po, është e vërtetë. Edi Martini do të rikthehet të drejtojë Teutën. Pata një kohë reflektimi këto ditë dhe mendoj se është kjo zgjidhja më e mirë për skuadrën”, tha presidenti i Teutës ekskluzivisht për “Panorama Sport”.
Më tej ai ka shpjeguar edhe të ardhmen e Arapit, i cili pak kohë më parë u emërua në krye të stolit duke zëvendësuar shkodranin Martini.
“Arapi do të vazhdojë të jetë pjesë e klubit të Teutës dhe do të rikthehet në pozicionin e drejtorit sportiv. Gjithçka është e qartë. Fundja Martini vetëm sa kishte paraqitur dorëheqjen, ne nuk thamë që ia pranuam atë… (qesh)”, ishte batuta e presidentit të kampionëve të Shqipërisë, Edmond Hasanbelliu.