Trajneri i Kombëtares shqiptare, Edi Reja, ka lëshuar një paralajmërim të qartë se personazhi i momentit për futbollin shqiptar, Armando Broja, nuk është në majën e listës së preferencave të tij nëse nuk ndryshon sjellje. Duke folur për RTSH, Reja theksoi se Broja duhej të mendonte të ndryshonte mënyrën e lojës nëse dëshironte një vend në rreshtim.
“Broja nuk ka pasur sjellje shumë pozitive së fundmi, për dëmtime apo për mënyrën e sjelljes. Ai është një djalë që ka potencial, por flitet shumë për të. Mua nuk më pëlqen të flas individualisht, flas për Shqipërinë e për të gjithë, nuk ka një lojtar më të fortë. Kemi bërë rezultate për meritë të skuadrës.
Për potencial mund të jetë shumë i vlefshëm por duhet të përmirësohet shumë në sjellje. Unë i pres të gjithë, i kam krahët e hapur dhe i përqafoj të gjithë, nuk përjashtoj asnjë/ Por sjelljen dhe punën për ekipin duhet ta bëjnë të gjithë.
Ka dy faza, kur ke apo jo topin, unë dua lojtarë që interpretojnë njëlloj të dy fazat dhe lojtarët e dinë mentalitetin tim. Kush nuk punon për ekipin nuk mund të bëhet pjesë e këtij grupi”, tha Reja.