Për herë të parë me Sali Berishën kam folur në telefon. Ka qenë marsi i vitit 1991. E kërkova unë në telefon në emër të një grupi njerëzish që sapo kishim themeluar degën e Partisë Demokratike në Çorovodë. I rashë një numri të Partisë Demokratike, që nuk e di se ku e kisha gjetur. Ndoshta e mora nga RD-ja e atyre ditëve. Ishte Gramoz Pashko që e kapi telefonin i pari, dhe zëri i tij më ra në vesh tok me zërat e të tjerëve që ishin diku në një zyrë me të, në një si mbledhje. “Quhem Mustafa Nano, doja t’ju njoftoja se kemi themeluar një degë të PD-së edhe në Çorovodë”, i thashë. “U ça diga edhe në Skrapar”, -tha Pashko, duke më harruar mua e duke iu drejtuar të tjerëve. Nuk mbaj mend nëse isha unë që kërkova të flisja me Berishën apo ishte Pashko që ia kaloi telefonin Berishës, apo ishte ky i fundit që ia mori telefonin nga dora Pashkos. “Quhem Mustafa Nano”, ia bëra sërish kur kuptova se telefoni kish rënë në dorën e tij. Por Berisha kaq donte. Nuk më la të flisja. “Mustaf, ky është një lajm i shkëlqyer”. Shkëmbyem edhe disa fjalë të tjera, dhe kur unë e mbylla telefonin, miqtë e mi që ishin me mua më pyetën në mënyrë kureshtare: “Çfarë të tha?”. “Më tha: Mustaf, ky është një lajm i shkëlqyer”. Plasën të qeshurat. Ishte retorika e ekzagjeruar e Berishës, me të cilën ishim familjarizuar tanimë dhe e cila (kush dreqin e çonte nëpër mendje këtë gjë atëmot?), e veshur herë pas here me një tonalitet hektik, nuk do të na shqitej më, madje do të na shndërrohej në një makth.
Në vitin 1991 kisha një mendim të mirë për të, sidoqoftë. Nuk kisha arsye të mendoja keq. Por më mungonte njohja personale. Kur Berisha erdhi në Skrapar për herë të parë si kryetar i PDSH-së, në shtator të po atij viti (1991), mendova se ishte një rast për ta njohur më mirë. Por nuk kisha se ç’t’i njihja. Më saktë, e kisha njohur tanimë. Berisha në një tavolinë ishte ai i tubimeve elektorale, një kafshë politike, një makinë e kurdisur, perpetuum mobile. Teksa isha me të, gjatë aktivitetit, i vetmi asociacion fonetik që më vinte në mendje ishte fjala “yxhym”. Sidomos kur përballë kishte një sallë të mbushur. Kam një fotografi timen me të, që është disi e zbardhur prej kohës apo ndoshta edhe prej cilësisë së dobët, dhe në të ai duket pa atë tensionin e brendshëm që i shfaqet shpesh në fytyrë. Është i qetë dhe i relaksuar si një konvaleshent në atë foto. Ndërsa unë i kënaqur që jam me të.
Mbaj mend që përpara se të hynim në takimin me dyer të hapura me banorët e qytetit, Berisha u ndal pak te dera, dhe më pyeti: “Cila është figura historike e zonës që pëlqehet më shumë?”. “Kahreman Ylli”, i thashë. Aty për aty nuk reagoi, dhe unë nuk mora vesh se ç’efekt i bëri ky fakt. Vetëm se ca minuta më pas, teksa ishte duke folur, në mes të rrëmujës së përroit të ndërgjegjes së tij politike, gjeti mënyrën dhe përmendi Kahreman Yllin. Dhe doli atje ku donte të dilte: “Kahreman Yllin e kanë vrarë”. Nuk dija se ç’mendim kishte ai për Kahreman Yllin, që gjithsesi mbetej një eksponent i komunizmit. Ai vdiq si i tillë. Por Berishës aq i bënte se kush ishte Kahreman Ylli apo nëse ai ishte i kuq apo i zi. Atij i mjaftoi fakti që ata që do ta dëgjonin e kishin një figurë të dashur të tyren, dhe mendja i punoi që të fuste në një situatë konflikti dy ndjesi popullore mes banorëve të Skraparit, simpatinë e tyre për komunizmin dhe respektin për Kahreman Yllin. Kjo ishte rrethana e parë, në të cilën mua më fshiku ideja se për këtë njeri nuk kishte rëndësi e vërteta. Më vonë, ai do dëshmonte se kjo ishte karakteristika që e dallonte më së shumti. Tok me vrullin e shpërthimet. Më kujtohet se, në një moment, dikush që rrinte më këmbë në anë të sallës së mbushur citas, zuri të fliste me zë të lartë. “Sa para ke marrë nga pacientët kur ke qenë mjek?”, u dëgjua të thoshte robi furacak. Berisha, i fokusuar te ligjërimi i vet pa letër, nuk arriti të kapte frazën e tij, dhe m’u drejtua mua, që isha në tribunë me të: “Çfarë tha?”. Ia riprodhova të plotë çfarë kisha dëgjuar. Dhe Berisha, sikur të ishte përgatitur për këtë situatë, ia ktheu me ton të lartë: “Dëgjo këtu ti provokator i tipit Gradec…”. Yxhym, mendova sërish. Me “Gradec” i referohej Sulo Gradecit, njeriut që i kishte shërbyer Enver Hoxhës për një kohë të gjatë në pozicionin e shefit të grupit të sigurisë. Ishte nga Gradeci i Tomoricës.
Dukej sikur i kërkonte situata të tilla. I bënin mirë. E karikonin. Sikur një takim elektoral apo politik në një sallë të madhe ato kohë të rridhte i qetë, atij me gjasë nuk do t’i shijonte, pasi nuk do mund të demonstronte energjinë e tij, që në sytë e shumë njerëzve ishte një cilësi që ngushëllonte e jepte siguri. Ia njoh edhe unë këtë cilësi. Madje, ia kam thënë në një rast, në fund të atij debatit në “Opinionin” e Klanit, gjatë të cilit, në një moment, “iu turra” me fjalët “ju jeni një komunist i ekzaltuar”. I dhashë dorën para se të linim studion, dhe i thashë: “Të çmoj veç për një gjë: për energjinë që ke; sa për të tjerat…”. Dhe e lashë frazën të pambaruar. Reagoi në po atë mënyrë që reagoi edhe pasi e quajta komunist të ekzaltuar. D.m.th. nuk m’u përgjigj. Dhe e parë nga pozicioni im, sidomos aposteriori, kjo ishte mënyra më e mirë për të reaguar. Meriton një përgëzim për këtë. Le ta ketë një chapeau edhe prej meje në këtë botë.
Për ta mbyllur, patëm dy incidente atë ditë vjeshte në Skrapar. Berisha kishte nevojë të çlodhej, a të flinte pak, në orët e drekës, dhe kur po e përcillja për në shtëpinë ku do të pushonte (ka qenë shtëpia e njërit dajë të Ilir Metës; meqë ra fjala, është e vërtetë ajo që ka thënë Ilir Meta te Fevziu: dy dajat e Ilir Metës e urrenin komunizmin, njëri më shumë se tjetri), poshtë një pallati na qëlluan nga një kat i sipërm me patate a qepë. Nuk na zuri asnjë. Por Berisha nuk e bëri veten. Përkundrazi, kërkoi të më qetësonte mua. “Nuk është asgjë; janë gjëra normale”, ia bëri.
Disa orë më pas, kur po hynim në një lokal buzë lumit, na del përpara një që ishte i dehur, apo që bënte si i dehur. Pa ia bërë syri tërr, na zuri rrugën, e filloi t’i derdhej Berishës me të shara të rënda. Ndërhynë të tjerët dhe e larguan. Por Berisha sërish nuk e bëri veten. Nën vëzhgimin kureshtar të të gjithë të pranishmëve, u ul tok me mua e me dikë tjetër në një nga tryezat e barit. Shijuam, me sa mbaj mend, një rehaní. Dhe folëm në mënyrë të çinteresuar për Enver Hoxhën, për Ramiz Alinë, për Ismail Kadarenë. Madje edhe për Edi Ramën. Më tregoi se si Gramos Pashko, në një nga ato ditët e para të themelimit të PD-së, e kish dëbuar nga një takim Edi Ramën, teksa ky tentonte t’u imponohej me antikomunizmin e tij. Është e sigurt se Berisha nuk mund ta çonte në mendje, nuk kish se si, që në vitin 2017 Edi Rama do të rizgjidhej kryeministër me votat e atyre që atëmot do donte t’i varte kokëposhtë në qendër të Tiranës. Si është jeta, ë? Por ai nuk ka nevojë të shohë karrierat e të tjerëve për të nxjerrë përfundime mbi natyrën trillane të jetës. Është mjaft t’i hedhë një sy gjithçkaje që i ka ndodhur atij e që ka ndodhur prej tij. /Nga Mustafa NANO/