Anëtari i Komitetit Teknik të Ekspertëve ka deklaruar se pasojat e festave të fundvitit do të shihen në mesin e muajit janar kur pritet të rriten edhe infektimet.
Megjithëse në Shqipëri u konfirmua varianti i ri i Covid-19, Omicron, Komiteti Ekspertëve vendosi që në natën e ndërrimit të viteve të hiqen kufizimet.
Sipas Bratajt, lehtësimi i këtyre masave edhe pse vjen për shkak të rritjes së imunizimit, infektimet do të jenë të pranishme në fillim të vitit të ardhshëm. Ndërkohë që bëri të ditur se më 4 janar do të aplikohet edhe GreenPass-i që tregon nëse jeni vaksinuar ndaj COVID-19 dhe që u lejon të merrni shërbimet e caktuara në subjekte private por edhe institucionet shtetërore.
“Duke parë edhe eksperiencën e vitit të kaluar dhe duke parë se sa shqiptarët e duan këtë festë, u mendua që në 31 shumë prej nesh do ta gjenin mënyrën për ta festuar. Ndoshta edhe në lokale jo të përshtatshme. Apo në ambiente më të përshtatshme, u mendua që për natën e festave të jenë të lirë ta organizojnë sepse është ardhja e emigrantëve, sigurisht vijnë nga vendet ku prania e Omicron duhet të jetë më e madhe, por ndodhemi edhe në një situatë më të mirë se vitin e kaluar ku numri i të imunizuarve është më i madh si nga ana natyrale dhe artificiale përmes vaksinimit”, ka theksuar Brataj për Top Channel.
Sa i përket mundësisë së rritjes së infektimeve si pasojë e grumbullimeve nga festat e fundvitit, Brataj theksoi se; “Kjo do ta japë efektin pas 2-3 javësh. Pra në 15-20 janar do të shohim një rritje, sigurisht asnjëherë si ato që kemi parë më parë”
“Shtetet evropiane kanë festat, që fillojnë nga sot në darkë deri në datë 6 janar janë disa festa, por edhe Shqipëria mori masa kufizuese që i dha mundësinë e kësaj feste fundvitit por në datën 4 janar do të futet greenpass-i, që ka qenë në Evropë por jo tek ne”, përfundon Brataj.