Këto ditë kanë “plasur” tre lista në version exel që tregojnë rrogat, gjeneralitetet, pozicionet e punës, numrat e telefonit, ID (letërnjoftimet elektronike), targat e makinave të mijëra qytetarëve shqiptarë. Në një vend normal, e përsëris, në një vend normal, do kishte patur një zinxhir të gjatë dorëheqjesh nga nivelet më të ulta teknike deri në krye të qeverisë. Deri tani, është mësuar për vetëm një dorëheqje të një drejtori teknik tek Tatimet.
Mirëpo, duke qenë se jemi në Shqipëri (në fakt më shumë i shkon Albanistan), pakkush po e vë “ujin në zjarr”. Përjashtim bëjnë politikanët dhe një grusht analistëstësh “gjithologë”. Të parët për shkak të profesionit, si një mjet “për të bërë politikën e ditës”, të dytët të shqetësuar se u zbuluan disa pjesë “të erëta” që lidhen me pagesat disa milionë euro, edhe pa lidhje direkte me profesionin. Mes tyre, edhe moralizues publikë “pas exelence”, që paguhen edhe 30 mijë lekë të reja (rreth 250 euro në muaj), thjesht dhe vetëm për efekt të rrogës minimale.
Pjesa tjetër e shoqërisë, është e interesuar për këto lista. Por pjesa më e madhe kërkojnë të shuajnë kuriozitetin për rrogat prej sheikësh që jo pak paskan në këtë vend. Natyrisht, sherben për të kuptuar se si mund të blihen vila 500 mijë euro teksa pensionistët, ata që realisht kanë kontributin më të madh në këtë vend, duhet të lumturohen me 45 dollarë shpërblim për fundvitin nga qeveria. Të paktën, ilaçet për një muaj ua subvencionon kjo shumë.
Të flasësh për “privacy” apo e shqipëruar “privatësi” në këtë vend, është kohë e humbur ose shumë para kohe. Vertetë kemi një komisioner që paguhet për të garantuar ruajtjen e të dhënave tona personale por realisht, as që bëhet fjalë. Komunikatat zyrtare të Policisë së Shtetit, të gjykatave e të prokurorive por edhe institucione të tjera, publikojnë rregullisht emra, mbiemra, adresa banimi dhe detaje të tjera që nuk duhet të dalin pa konsensusin e personave konkretë. Zinxhiri i gabimit zgjatet me publikim në media, në shumë raste duke treguar foto e video të personave, detaje të hollësishme për të sotmen apo të shkuarën e tyre.
E meqë jemi tek mediat, a ka shkelje më të madhe se emisionet “investigative” që janë shtuar e po shtohen si “kërpurdhat pas shiut”? Pa dëshirën e shprehur në mënyrë eksplicite (me shkrim ose me audio e video para kameras), publikohen fytyra, emra, mbiemra, dokumente, të afërm e kushërinj deri në “brezin e shtatë”. E gjithë kjo në emër të të “mirës publike” apo “interesit publik”, sidomos nëpër zyrat e shtetit. Sepse askush nuk kujtohet se një person është zyrtar i shtetit në rastin më të mirë 8 orë në ditë për 5 ditë të javës. Në pjesën tjetër është një qytetar, të cilit duhet ti garantohen të gjitha të drejtat kushtetuese.
Kushtetuta jonë e përcakton qartë në Nenin 15 të saj kur shprehet “Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë të pandashme, të patjetërsueshme e të padhunueshme dhe qëndrojnë në themel të të gjithë rendit juridik.”. Neni 25 i Kushtetutës së Shqipërisë, përcakton edhe më hollësisht në Neni 35 të saj Neni 35 “1. Askush nuk mund të detyrohet, përveçse kur e kërkon ligji, të bëjë publike të dhëna që lidhen me personin e tij. 2. Mbledhja, përdorimi dhe bërja publike e të dhënave rreth personit bëhet me pëlqimin e tij, me përjashtim të rasteve të parashikuara me ligj.”. Sa herë janë zbatuar apo zbatohen këto dy nene?! Përgjigja është e thjeshtë: Asnjëherë, sidomos nga mediat dhe jo vetëm.
Ironia e fatit është se edhe gjykatat, janë në shumicën e rasteve në krah të shkelësve të privatësisë së qytetarëve. Kur dikush ka marrë guximin të ankimojë në gjykatë shkelje të privatësisë, sidomos për zyrtarë të shtetit, ka justifikuar dhunimin e të drejtave më elementare me togfjalëshin “interes publik”. E në vende me standarte vertetë demokratike, as nuk mund të imagjinohet. Madje, përfitohen dëmshpërblime deri në miliona euro në raste të ngjashme.
Po pse është kjo katrahurë në Shqipëri? Sepse këtë sistem kanë instaluar ata që na kanë qeverisur tash 31 vite. Në emër të “interesit publik”, poltikanëve, zyrtarëve të lartë të shtetit u hyhet deri në krevat ose hyjnë deri në krevatin e rivalit politik. Identifikohen emra, pozicione, lidhje familjere, të cilat edhe kur vertetohen të paverteta apo shpifje, askujt nuk i hyn “gjemb në këmbë”.
E në fund, për tu rikthyer tek shqiptarët e thjeshtë. “Privatësinë” tonë ia kemi dorëzuar me kohë e me vakt celularit tonë. Me lehtësinë më të madhe u dërgojmë me foto apo me text të dhënat tona çdo aplikacioni që në del përpara, duke nisur nga Facebook. Kush na garanton privatësinë tonë tek këto aplikacione?! Askush! Aq më shumë, kur nuk kemi asnjë mundësi verifikimi të të dhënave tona. E njëjta gjë për kartat bankare, llogaritë tona, PayPal etj.
Qindra herë shpërndajmë kartat e identitetit, kartat e bankës, ia dërgojmë çdokujt me komunikime elektronike apo lëmë pa teklif fotokopje të tyre. Madje në jo pak raste, në shenjë besimi, lëmë edhe nënshkrimet tona në një fletë A4. E për ta mbyllur, a ju kujtohen telefonatat e panumërta, thuajse të përditshme që kërkojnë të të shesin dyshekë, jastekë, mbulesa, mobilje… Ku i marrin numrat e identitetet tona? Pse nuk reagojmë në këto raste, pse nuk shqetësohemi? Ku i morën të dhënat kompanitë? A ka shkelje më të madhe të privatësisë? Përveç se të përdorin të dhënat personale, përveç se të shqetësojnë me telefonata e mesazhe, po të kapën diku ndonjë “Po” apo “Dakort”, të troket dera dhe e gëzofsh…dyshekun! Fatmirësisht nuk ndodh shpesh por ke edhe një favor…mund ta paguash me këste! /Nga Blerti DELIJA/
P.S. Po pres me shumë kërshëri ndonjë protestë popullore për shkeljen e të drejtave të privatësisë, para asaj të 8 janarit 2021…