Gjurmët e aksidentit tragjik që u mori jetën 2 të rinjve një natë më parë në Tale të Lezhës, janë ende të pranishme. Goditja ka qenë mjaft e fortë, çka e dëshmon muri rrethues ku u përplas makina, i cili është rrëzuar.
Gjurmët në vendin e ngjarjes tregojnë se drejtuesi i mjetit Kristjan Margjoni ka tentuar të frenojë, por pa mundur që ta shmangë përplasjen fatale. Nga veprimet paraprake hetimore të policisë rezulton se automjeti po lëvizte me shpejtësi në rrugën e hidrovorit, duke bërë që drejtuesi të humbasë kontrollin.
Por edhe mungesa e sinjalistikës në rrugë dhe errësira mendohet se kanë ndikuar në këtë aksident. Ndërkohë pritet akti i ekspertimit për të parë shpejtësinë reale me të cilën po lëvizte drejtuesi i mjetit në momentin e përplasjes.
Aksidenti tragjik ndodhi rreth orës 19:00 të së shtunës dhe goditja ishte tepër e fortë duke u shkaktuar vdekjen e menjëhershme 24-vjeçarit Kristjan Margjoni dhe të fejuarës së vëllait të tij, Atjola Ademi 24-vjeçare nga Kukës, studente në Tiranë. /Nga Elvis HILA/