Pas prezantimit të hartës së re gjyqësore, ka ardhur reagimi i parë nga dhoma e avokatisë në Shkodër. Përmes avokatit Anton Kosteri, Dhoma e Avokatisë ka kundërshtuar hartën e re gjyqësore e cila parashikon shkrirjen e gjykatave, mes të cilave dhe apeli i Shkodrës dhe shkalla e parë e Pukës.
Avokati Kosteri shprehet se për shkak të dështimit të reformës në drejtësi, po tentohet një hartë e re gjyqësore.
Sipas tij, nuk e zgjidh problemin por e përkeqëson atë.
“Kjo për shkak se qytetarët duhet të vijnë nga skajet më të largëta të Shqipërisë të shkojnë në Tiranë, ku sipas hartës së re gjyqësore, parashikohet që të ketë vetëm një gjykatë apeli në Tiranë. Përveç kostove, nuk do të ketë asnjë efiçencë më të mirë siç u pretendua në prezantimin e hartës së re gjyqësore” – tha avokati.
Kosteri tha se KLGJ dhe KLP si dhe Ministria e Drejtësisë, nuk kanë pyetur dhomën e avokatisë për hartën gjyqësore.
Po ashtu, Kosteri i bën thirrje dhomave të avokatësië në rrethe, atje ku do të ketë shkrirje gjykatash, që të reagojnë që të reagojnë në kundërshti të kësaj harte.