Një ngjarje e rëndë u shënua pasditen e të enjtes në zonën e Pukës, ku 5 alpinistë u rrëzuan në një humnerë teksa ngjiteshin në Malin e Munellës, ku mes tyre ishte dhe gazetari Alfred Lela.
Fatkeqësisht, si pasojë e rënies, alpinisti Ndoc Mula ndërroi jetë, ndërkohë që personat e tjerë janë lënduar. Një prej tyre është në gjendje të rëndë shëndetësore.
Këto janë pamjet nga operacioni i forcave të ushtrisë teksa transportojnë drejt spitalit të plagosurit. Rreth orës 03:30 e mëngjesit, është transportuar dhe trupi i pajetë i të ndjerit Ndoc Mula.
Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e djeshme rreth orës 17:30. Gazetari Alfred Lela, bashkë me Ilir Shytin, Ndoc Mulën, Dorian Malajn dhe Gisel Dollanin ishin duke eksploruar në Malin e Munellës në Pukë, kur aksidentalisht si pasojë e motit të keq ata janë rrëzuar në humnerë duke humbur kontaktin me njëri tjetrin.
Pas ngjarjes, është njoftuar policia e cila dërgoi në terren disa forca nga komisariati i Pukës, 23 forca të repartit ushtarak të Vaut të Dejës dhe forcat e Ministrisë së Mbrojtjes. Në total kanë qenë rreth 60 persona të cilët janë angazhuar në kërkim të grupit të alpinistëve.
Fillimisht, pas pak orësh kërkime, është gjetur Ilir Shyti, i cili kishte pësuar dëmtime të shumta dhe është dërguar me urgjencë në Tiranë. Personat e tjerë pësuan dëmtime më të lehta.
Ndërkohë, Ndoc Mula është gjetur pas më shumë se 10 orësh kërkime, për shkak se terreni dhe moti ishin të pafavorshëm për kërkimet. Ai është gjetur i pajetë, ndërkohë që vetëm në orën 03:30 të mëngjesit është bërë e mundur transportimi i trupit të të ndjerit.