Është privilegj dhe kënaqësi të veçantë t’ ju drejtohem me pak rreshta në mbyllje të një tjetër viti dhe në vigjilje të një viti të ri. Edhe 2021- i nuk ka qenë një vit i lehtë për të gjithë ne. Po vazhdojmë të përballemi me pandeminë, jemi të detyruar të kufizojmë shumë nga aktivitetet tona të zakonshme por shpresoj dhe uroj që ta lëmë pas sa më parë për t’ ju rikthyer normalitetit të jetës.
Pavarësisht se një periudhë e vështirë për të gjithë ne, kemi vazhduar të punojmë pa u ndalur. Falë mbështetjes tuaj, këtë vit bashkia jonë numëron më shumë investime, më shumë rrugë, kopshte e çerdhe, më shumë mbështetje për personat e familjet në nevojë, shtrirje më të madhe në territor të shërbimeve e përmirësime në cilësi.
Me përkushtim edhe më të madh për shtëpinë tonë të përbashkët, do të vazhdojmë të punojmë fort edhe në vitin e ri. Mbështetja tek njëri- tjetri, qeverisja me banorët në territor, bashkëndarje e ideve dhe e shqetësimeve, gjetja e alternativave dhe zgjidhjeve bashkarisht, janë themeli i sigurt edhe për vitin 2022.
Shkodra jonë është e bukur gjithmonë por në këto ditë festive është edhe më e bukur, mikpritëse për të gjithë. Është detyra jonë, që të gjithë bashkë, ta hijeshojmë, ta ndërtojmë e mirëmbajmë Shkodrën.
Jemi të ndërgjegjshëm se ka shumë për të bërë, shumë për të punuar e ndërtuar. Mirë menaxhimi i fondeve dhe investimi aty ku qytetarët e përcaktojnë si prioritet, kanë sjellë efekasitetin më të lartë të punës tonë të përbashkët. Do të ecim në të njëjtën rrugë, me ndershmëri dhe përkushtim sepse nuk ka rrugë tjetër për të zhvilluar Shkodrën tonë.
Uroj me zemër viti i ri të lërë pas të gjitha vështirësitë me të cilat u përballëm në 2021-in.
Viti 2022 qoftë një nisje e mbarë për të gjithë, për Shkodrën tonë, për Shqipërinë e shqiptarët.
Ardhtë i bardhë dhe i begatë ky vit i ri për të gjithë shkodranët kudo ku jetojnë! Gëzuar!