Komisioni i Rithemelimit të PD- së ka njoftuar një protestë kombëtare para selisë së PD- së, 3 ditë pas skadimit të ultimatumit që i është dhënë Lulzim Bashës të lirojë zyrën e kryetarit në selinë blu.
Sipas këtij organi që ka të gjitha kompetencat e deleguara nga Kuvendi Kombëtar i 11 dhjetorit, Basha nuk është më kryetar pas vendimit të ratifikuar me referendum edhe nga mëse 43 mijë antarë të PD- së.
Kjo situatë, nuk ka kaluar pa komentin e kryetarit të PDK- së Nard Ndoka, i cili njihet për ironinë e batutat e tij në rrjetet sociale. “Lul merr bukë më vete, se do mbetesh si miu në çark!”, shkruan Ndoka në Facebook.
Ndoka ka qenë një ndër aleatët e PD- së edhe para zgjedhjeve të 25 prill 2021, kur në momentet e fundit, ndryshe nga aleatët e tjerë, u la jashtë listës së sigurtë në Qarkun e Shkodrës. Ndoka ka thënë se Basha nuk ka respektuar marrëveshjen që kishte me PDK- në. /ShkodraWeb/