Të rinjtë e FRPD kanë qenë sot në selinë e PD për t’i gjetur sërish dyert e mbyllura. Më pas ata kanë dhënë një prononcim për mediat. Një prej tyre, i prezantuar si anëtar i kryesisë së FRPD, Mariglen Doçi tha se ai është krimineli për të cilin ka folur kryetari i PD Lulzim Basha dhe se është burgosur që ai të bëhet kryeministër.
“Ftoj mediat të ndjekin fjalën e një krimineli. Unë jam Mariglen Doçi, anëtar i kryesisë së FRPD dhe dua t’i them Lulzim Bashës, unë jam ai krimineli që po pëshpërisje në media dhe për shkak tëndin jam burgos, për të bërë ty kryeministër unë jam burgos.
Si unë janë dhe 3300 qytetarë të tjerë, kriminelë, që janë proceduar, kanë qenë në burg për shkakun tënd, për të bërë ty kryeministër. PD nuk mund të mbyllet me hekura, ne nuk jemi kriminelë, jemi idealistë që e duam PD-në të çliruar jo me si këto metodat e tua.
PD nuk duhet të ketë as dyer sepse është simbol i lirisë. Më datë 8 do çlirojmë selinë tonë nga shpura jote dhe më pas hap pas hapi edhe Shqipërinë”, tha ai.