Te Vllaznia vijojnë largimet e atyre lojtarëve që kanë pasur shumë pak, për të mos thënë aspak mundësi aktivizimi në 15 javët e këtij sezoni. Pas Arlind Kalasë, një tjetër futbollist zyrtarizohet si i larguar nga Vllaznia.
Bëhet fjalë për mesfushorin kosovar Albin Sadrijaj. Ai nuk ka udhëtuar dje me ekipin drejt Ulqinit për stërvitje dhe para nisjes ka qenë zv.trajneri Elvis Plori, i cili e ka pohuar ndërprerjen e kontratës me mirëkuptim me këtë futbollist.
Sadrijaj erdhi te Vllaznia në merkaton e verës, por nuk arriti të gjente hapësirat e duhura për aktivizim, ngaqë konkurrenca në repartin e mesfushës ishte e madhe.
Në këto rrethana, edhe vetë lojtari e ka parë të arsyeshme të kërkojë një ekip tjetër për të vazhduar karrierën. Drejtuesit e klubit shkodran nuk e kanë penguar duke ndërprerë kontratën me mirëkuptim.
Sadrijaj mund të jetë largimi i fundit nga ekipi. Në katër ka shkuar numri i të larguarve te kuqeblutë.
Por, mund të ketë huazime nga radhët e futbollistëve të rinj që mund të huazohen në skuadra të tjera të Superiores apo Kategorisë së Parë, në mënyrë që ata të kenë më shumë mundësi aktivizimi dhe promovimi.