Katër persona janë arrestuar në lidhje me skandalin e publikimit të pagave dhe të dhënave personale tw mbi 650 mijw qytetarwve. Në pranga përfunduan dy punonjës të IT te Drejtoria e Tatimeve, Andi Agaraj dhe Eni Qirjako si dhe 2 përmbaruesit privat Klodian Sota dhe Endri Ikonomi. Një specialiste e IT te Tatimet mori pagat nga sistemi dhe ia kaloi kolegut të saj të IT, i cili i shiti tek 2 përmbarues privat. Prokuroria fakton se nuk ka ndërhyrje në sistem, por shpërdorim detyre nga ana e punonjësve. Hetimet vijojnë pwr zbulimin e qëllimin e shpërndarjes së të dhënave.
“Specialiste IT, e punësuar tek AKSHI ka pasur akses tek pagat, ka hyrë dhe i ka marrë të dhënat, i ka shpërndarë tek kolegu i saj, pa autorizim ua ka shitur subjekteve private. S’ka ndërhyrje në rrjetin kompjuterik, kanë shpërdoruar detyrën. 2 të dyshuar të tjerë në privat, që kanë blerë të dhënat”, tha Elisabeta Imeraj.
Dy ditë më parë u mësua se prokuroria e Tiranës kishte zbuluar personin që nxori të dhënat e mbi 650 mijë shqiptarëve, i cili është një teknik IT nga brenda Drejtorisë së Tatimeve. Andi Agaraj, teknik IT i Tatimeve i punësuar me një kontratë provizore në mars të 2013, në kohën kur ishte ende në qeverisje Partia Demokratike, e më pas i stabilizuar me kontratë me kohë të plotë në 2014, kur në krye të Tatimeve ishte Briseida Shehaj, e propozuar nga PS, por prej kohësh e lidhur me LSI, me të cilën edhe u kandidua. Sipas burimeve prokuroria ka zbuluar se burimi i informacioneve të mbledhura nga Andi Agaraj ishte një kolege e tij, po ashtu nëpunëse e Tatimeve, e cila çdo muaj mblidhte informacionet mbi pagat e taksapaguesve shqiptarë për t’i shpërndarë në seli të ndryshme rajonale të Tatimeve.
Publikimi i të dhënave nuk ka qenë pjesë e ndonjë sulmi hakërimi, por nga vetë personat brenda institucionit. Skandali i publikimit të pagave dhe të dhënat personale rrezikoi stabilitetin dhe sigurinë e tyre. Këto të dhëna u shpërndanë me shpejtësi në rrjetet sociale ku përfshinte të dhënat e pagave të mbi 650 shqiptarëve, numra celulari personale të 900 mijë qytetarëve shqiptarë dhe ajo e targave e mbi 530.452 qytetarë shqiptare privat dhe për 61.513 biznese, banka, ambasada etj. /Shqiptarja.com/