Nga Sali BERISHA
Lulzim Brava nën panik dhe i barrikaduar në bunkerin e tij bëri një konference shtypi pa gazetarë dhe kamera brenda! Ky është politikani i vetëm në botë që del dhe flet me vete pasi askush nuk e beson më!
Basha mund të delirojë dhe të mashtrojë se ai ka mbështetjen e 95% të shqiptarëve, 99% të amerikaneve dhe 110% të evropianëve, por askush nuk e kupton dot përse një politikan që pretendon që ka shumicën e dy kontinenteve, mbyllet me hekura dhe beton në një bunker!
Ndonëse i shkarkuar nga Kuvendi i jashtëzakonshëm statutor me votën kundër tij të 4446 delegatëve dhe referendumit të parë në histori të 44 mijë anëtarëve të PD, Lulzim Brava në një akt amoraliteti total politik kërkon t’u shesë shqiptarëve në antikuvendin e tij, 1958 karrige për 5004 delegatë imagjinare, duke dëshmuar se është një mashtrues i paskrupullt që nuk njeh asnjë normë, parim, apo standard, as politik e as moral!
Koha e tij mbaroi. Sot i madh e i vogël brenda dhe jashtë Shqipërisë e ka të qartë që Lulzim Basha është non grata për të gjithë demokratët. Është i tillë sepse në 8 vjet u solli atyre vetëm humbje dhe dështim. Në 8 vjet shkeli dhe shiti sakrificat e tyre për të mbushur xhepat e tij dhe te familjarëve në pazare të pista me Edi Ramën! Dhe sot kur demokratët e kanë braktisur masivisht, mendon se do gjejë shpëtim në mashtrime dhe dyer të blinduara! Kjo është metamorfoza më e shëmtuar, por e merituar e një besëpreri që pasi ka shitur e tradhtuar të gjithë demokratët për interesat e tij private, e sheh veten të braktisur brenda një bunkeri!
Nesër është dita e lirisë dhe fundi i pengut të pabesë që ka 8 vjet që pasurohet mbi djersën, vuajtjet dhe humbjet e demokratëve.
Reagimi ynë nuk është thjesht për një peng pa nder dhe dinjitet, por për qindra mijëra demokrate, demokratë dhe mbarë shqiptarët, për të cilët parimi themelor i demokracisë është shumica vendos, pakica respekton dhe respektohet, të cilët nesër do të jenë dëshmitarë të rikthimit më të bukur të PD me gjithë fuqinë e saj. Peng Basha ka hyrë në vetmi të thellë sepse shkelmoi dhe abuzoi me besimin e demokratëve.
Koha është e demokrateve. Nesër është festa dhe fitorja e tyre!