Detaje të reja kanë dalë për ngjarjen e rëndë pasditen e sotme në fshatin Nenshat të Bashkisë Vau- Dejës. Mësohet se prej kohësh, çifti tashmë kishte shkëputur lidhjet, kishte konflikte lidhur me kujdestarinë e vajzës së tyre 4 vjeçare.
50 vjeçari Niko Hila ka shkuar në shtëpinë e prindërve të 40- vjeçares Gjuliana Topalli. Kjo e fundit jetonte atje vetëm me vajzën dhe babanë e saj të sëmurë pas ndarjes me burrin.
Mësohet se në oborrin e shtëpisë në fjalë, ka edhe gëzhoja të mbetura nga qitja me armë nga 50 vjeçari. Kur ka ndodhur ngjarja, dy personat e përfshirë në ngjarjen e rëndë kanë qenë vetëm.
Sipas rindërtimit të parë të ngjarjes, dyshohet se ka patur debate mes tyre fillimisht për të përfunduar tek shkrehja e armëve. Pasi ka vrarë 40 vjeçaren Gjuljana Topalli, Niko Hila duket se ka tentuar të vetëvritet me një plumb në gojë.
Ai është gjetur i plagosur dhe është dërguar në fillim në Spitalin Rajonal të Shkodër. Më pas, duke parë gjendjen e rëndë, është nisur me urgjencë drejt Traumës në Tiranë. Niko Hila mësohet se ka qenë emigrant në Greqi, ndërsa pritet që policia e prokuroria të bëjnë zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë.