Një vit nga fillimi i procesit të fiskalizimit, qeveria mbetet e dështuar në këtë sipërmarrje, gjoja me miliarda lekë përfitime por që asnjëherë nuk u bënë publike në shifra konkrete, të monitorueshme.
Sipas publikimeve nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, procesi po zbatohet vetëm nga 50% e bizneseve që kanë detyrimin të fiskalizohen. Tatimet nuk presin fiskalizim të plotë për 120,000 subjekte, pasi një kategori e tyre janë mbyllur.
Shtyrja e afateve për vendosjen e gjobave ndaj biznesit të vogël, tregon qartë se problemet qëndojnë tek biznesi i madh dhe tek importi. Qeveria nuk arrin të fiskalizojë as kompanitë më të rëndësishme me kapital 100% shtetëror, siç është OSHEE Group sh.a., e cila lidhet me faturimin e tre kategorive ente publike, biznese dhe familjarë.
Problemet teknike mbeten të pazgjidhura, pavarësisht ankesave të gjithë ekspertëve. Meqenëse Shqipëria, konsumin e ka te bazuar në import, zgjidhja imediate duhet të ishte fiskalizimi i faturave të importit, gjë që nuk realizohet akoma.
Nuk ka një zgjidhje për subjektet e zonave rurale, të cilët e kanë të vështire lidhjen me internet dhe funksionimin normal të fiskalizimit. Mungesa e energjisë elektrike në këto zona, evidentohet çdo ditë, në kushtet e përkeqësuara të motit, shkak i mungesës së investimeve dhe mirëmbajtjes së rrjetit elektrik.
Ky projekt, që është shtyrë disa herë, vërteton shqetësimin e biznesit të vogël për kostot e shtuara dhe të papërballueshme. Qeveria nuk subvencionoi asnjë kosto për fiskalizimin. Niveli i informaliteti në vend nuk po ulet. Kjo tregon që fiskalizimi po sjell më shumë efekte negative, ndryshe nga sa u trumbetua nga qeveria. /Publikuar në Facebook nga Emilia KOLIQI, deputete e PD Shkodër/