Presidenti Ilir Meta është në pritje të një verdikti të rëndësishëm për të sotmen por edhe të nesermen e tij politike. Gjykata Kushtetuese ka njoftuar hapjen e seancës plenare për shqyrtimin e ligjshmërisë së vendimit të Kuvendit për shkarkimin e Presidentit të Republikës. Hera e dytë gjatë këtij mandati presidencial, që kreu i shtetit përballet me mundësinë e shkarkimit. Ndryshe nga hera e parë kur Kuvendi u tërhoq pas “këshillës” së Komisionit të Venecias, me 18 janar 2022 do të merret një vendim: Të ikë apo të qendrojë Ilir Meta!
Situata e pazakontë e krijuar në Partinë Demokratike, duket se ka hequr disi vemendjen nga kjo çeshtje, që përveç Ilir Metës, ka të bëjë edhe me Shqipërinë. Për herë të parë në historinë e 31 viteve sistem post komunist, për herë të parë mbase mund të jemi dëshmitarë të shkarkimit të një presidenti në ushtrim të mandatit të tij. Përveç kësaj, vendimi i Gjykatës Kushtetuese, do të sjellë pasoja të padiskutueshme edhe në arenën e politike e dilema e fundit, a do ta njohë dhe a do ta zbatojë këtë vendim Ilir Meta? Kjo pyetje, në vijim të vendimmarrjes të së njëjtës gjykatë për “30 qershorin”, vendim që deri më tani, duket se nuk është pranuar nga kreu i shtetit.
“Numrat” në Gjykatën Kushtetuese duket se kanë ndryshuar si rrjedhojë edhe e situatës në PD. Aktualisht, nga 9 antarë që duhet të ketë sipas ligjit, gjykata ka vetëm 7. Që vendimi i Kuvendit të marrë fuqi të plotë ekzekutive, duhet që ai të miratohet nga të paktën 5 antarë të Kushtetuese. Me emërimet e reja në Gjykatën Kushtetuese, të cilat mundësuan fillimin e funkionimit të saj, u krijua përshtypja se “gjykatës të presidentit” ishin të paktën tre. Prej disa javësh, po përflitet se ka “rrëshqitur” edhe një tjetër gjykatëse, duke lënë të kuptohet se mund të ketë një shumicë prej 5 votash që do të miratojnë shkarkimin e Presidentit nga detyra.
Pas vizitës së Presidentit në Hungari, ku ishte i pranishëm edhe kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj dhe kryetarja e LSI- së Monika Kryemadhi, u krijua ideja se diçka ka ndryshuar në raportet e Metës me mazhorancën. Muajt e verës dhe të vjeshttës, ishin thuajse një heshtje totale e dyshes Meta- Kryemadhi ndaj mazhorancës. Me fillimin e përplasjes në PD, duket se Meta më shumë por edhe kryemadhi, indirekt u bënë pjesë, duke u rreshtuar në krah të Berishës dhe kritikë ndaj Bashës. Ky i fundit, përmes njerëzve afër tij në PD, duket se ka prishur apo ka paralajmëruar se do të prishë ekulibrin në favor të shkarkimit të Metës.
Ilir Meta ka deklaruar shumë herë, shumë shpesh, se do të largohet nga Presidenca me 24 korrik 2022, kur i përfundon zyrtarisht mandati. Këtë refren, kohët e fundit, po e përmend përherë e më pak. Nga ana tjetër, Kryemadhi ka deklaruar se shumë shpejt Meta do të rikthehet në krye të LSI- së, duke shtuar hamendësimet për një largim të mundshëm para kohe nga Presidenca. Ndërkohë, burime pranë Presidentit të Republikës, në rrethe të ngushta, kanë pohuar se është vetë Meta që kërkon të “çlirohet” nga petku i “ngushtë” me të cilin është veshur nga 24 korriku 2017. Si një politikan race, duket se atë e grish politika opozitare, për tu rivënë në krye të partisë që vetë krijoi, sigurisht në krahun e opozitës por edhe të Sali Berishës.
Nëse Meta do të largohet nga Presidenca, opozitës do ti shtohet një komponenet i rëndësishëm. Por këto kohë, po përflitet që largimi i tij nga kreu i shtetit, mund të shoqërohet me një “non grata” nga SHBA- të, duke i vënë një pengesë jo të lehtë për ta kapërcyer, atij por edhe opozitës. Është një “non grata” gati e firmosur por që pengohet nga qënia e Metës në krye të shtetit. Ka kohë që Lulzim Basha flet për “trekëndësh Bermudesh”, duke asociuar përveç Berishës e Ramës edhe Metën. Basha duket se po përpiqet të mbjellë psikozën publike se fushë beteja politike shpejt do të mbetet bosh, me një të vetëm “fitimtar” apo të rëndësishëm, pikërisht atë.
Neni 90 i Kushtetutës, përcakton vetëm dy raste kur Presidenti i Republikës mund të shkarkohet. Pikën 2 të këtij neni, përcaktohet se “Presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë”. Është e qartë se kreu i shtetit nuk ka kryer “një krim të rëndë” ndërsa e gjithë “beteja” në Kushtetuese do të përqendrohet tek diskutimi nëse Meta ka kryer shkelje të rëndë të Kushtetutës. Në këtë pikë, perceptimi i krijuar nga secili gjykaës kushtetues do të jetë vendimtar për fatin e Presidentit, pa harruar edhe ndikimet e pashmangshme, direkte apo indirekte të politikës. E thënë shkurt e prerë, më shumë se një vendimmarrje juridike, ajo e 18 janarit për Ilir Metën në Gjykatën Kushtetuese, do të jetë vendimmarrje politike, e pastër.
Kushtetuta e Shqipërisë, në Nenin 91, pika 1 përcakton se “Kur Presidenti i Republikës është në pamundësi të përkohshme për të ushtruar funksionet e tij ose kur vendi i tij mbetet vakant, Kryetari i Kuvendit zë vendin dhe ushtron kompetencat e tij.”. Nëse Metës i miratohet shkarkimi i Kuvendit nga Gjykata Kushtetuese, Lindita Nikolla do të jetë presidente e përkohshme. Por ka edhe disa kleçka të “vogla” juridike. Seanca plenare në Gjykatën Kushtetuese do të hapet me 18 janar por vështirë që vendimi të merret shpejt. Palët në këtë çeshtje, do të japin opinionet e tyre, të cilat do të administrohen nga kjo gjykatë. Më pas, do të caktohet një datë tjetër për seancën e radhës. Pas saj, mbase mund të ketë një vendimmarrje përfundimtare. Nuk përjashtohet mundësia që, e dyzuar nga opinioni i Komisionit të Venecias në rastin e parë të shkarkimit të Metës, Gjykata Kushtetuese të kërkojë një opinion nga “Venecia” edhe në këtë rast. E nëse ndodh kështu, me shumë gjasa 24 korriku 2022, do ta gjejë president në kalimin e postit tek pasardhësi Ilir Metën. Nuk do të ishte çudi të kishim një shkarkim postum të Metës, vendim që nuk bën asgjë veçse mund të heq atij privilegjet e përjetshme si ish- president.
Në të gjitha rastet, 24 maji është afati i fundit kur Kuvendi e ka detyrim kushtetues të vihet në lëvizje për të zgjedhur presidentin e ri të vendit. Me shumë mundësi, para datës 15 shkurt, nuk do të ketë shprehje të Gjykatës Kushtetuese për shkarkimin e Ilir Metës. Por edhe nëse shkarkohet, si në rastin e vendimit të Kushtetueses për “30 qershorin”, kreu i shtetit mund të aludojë për një dergim të çeshtjes jashtë Shqipërisë, në Gjykatën e Strasburgut. Thuajse të gjitha skemat apo arsyetimet, e shohin Ilir Metën President i Shqipërisë deri me 24 korrik 2022, kur i skadon mandati presidencial. /Nga Blerti DELIJA/