Sot mësova me dhimbje se paska nis udhëtimin për në parajsë një mik i çmuar, një burrë i rrallë, një demokrat si ai, Kreshniku modern Pal Rupa. Tek Pal Rupa ishin të sintetizuara tiparet ma të mira të malësorit, dija e hollë e trimnia e mençur, fjala e mbajtur dhe bujaria e rrallë. Mësues me profesion, në dhjetor të 90-ës Pali do të bëhej nismëtar i themelimit të Partisë Demokratike në rrethin e Shkodres dhe kryetar për Dukagjinin.
Ai ishte një publicist i guximshëm dhe i mprehtë, gjithashtu Pali ka lëvruar edhe poezinë epike, pamfletin dhe prozën poetike. Pas vitit të mbrapshtë ’97 do të ishte edhe më aktiv edhe më i përkushtuar në mbrojtje të demokracisë dhe të pluralizmit. Pal Rupa deri vitin e fundit kur u rëndua nga mosha dhe sëmundja s’mungoj kurrë në aktivitetet përkujtimore të Grupimit “Dhjetor 90” ku kishte statusin e Burrit të Urtë, Këshilltarit me mend bashkë me Xhaxhkën (Ahmet Likën).
Pali ishte nga të paktit burra të brezit të vet që kishte adresë emaili, llogori në Facebook të cilën deri muajve të fundit kur ju shfaq sëmundja e pashërueshme e furnizonte çdo dite me statuse dhe qëndrime të thukta. Ai u largua nga kjo jetë duke lënë një trashëgimi të shkëlqyer si njeri i angazhuar, gjithmonë në anën e mirë të historisë.
Ai u largua nga kjo jetë i lumtur dhe i mbushur krenari për familjen e tij të mrekullueshme tre djemtë Sokolin, Fabianin dhe Alfredin dhe katër vajzat Valbonën, Dianën, Mirelën dhe Rozën që të gjithë të arsimuar dhe qytetarë dinjitoz në vendet ku jetojnë me familjet e tyre.
Ai u largua nga kjo jetë nën përkujdesjen e zonjës së tij të jashtëzakonshme Pashkës, infermieres së përkushtuar që u kujdes për çdo frymë njeriu të lindur e të rritur në Dukagjin për 50 vite.
Ai i largua për ta gjetur yllin e tij në parajsë, duke lënë pas mijëra miq që i deshi dhe e deshën pa kushte, ashtu siç e kishte ai dashurinë. Krenar që të pata mik dhe më le trashëgim lidhjen e përjetshme me familjen tënde.
Lamtumirë Kreshnik!
Pushofsh në parajsë këshilltari im i paqtë!
Do na mungosh! /Publikuar në Facebbok nga Bislim AHMETAJ, drejtues i Grupimit “Dhjetor ’90″/