Karaktere të vështira njihen mjaft në fushën e blertë. Të vështira deri në atë pikë sa të shkatërrojnë edhe karrierat e tyre si futbollistë. Disa prej tyre janë Balotelli, Casano por edhe Gascogne. Nuk është aspak çudi të ketë edhe në Superligën shqiptare, as edhe tek Vllaznia. Tashmë të paktën dy raste janë evidentuar publikisht.
Reagimi i parë i ashpër erdhi nga Liridon Latifi, i cili disa javë më parë pasi u zëvendësua nga trajneri Brdariç, nxorri inatin mbi një termus plastik në afërsi të pankinës, duke rrezikuar të rrëzohet e dëmtohet edhe personalisht. Rasti i dytë, mbase më flagranti, është ai i zëvendësimit të Da Silvas në ndeshjen e fundit me Tiranën.
Pavarësisht se ty dy mund të konsiderohen “yje” të Vllaznisë aktuale, reagimi ka ardhur në dy rrethana të ndryshme. Latifi u zëvendësua pasi trajneri ishte i pakënaqur nga paraqitja e tij në fushë ndërsa Da Silva u zëvendësua në një formë më të çuditshme, pas një dëmtimi që ndoshta nuk mund dhe nuk duhej ti kushtëzonte vazhdimin e ndeshjes. Pra, ndodhta për mungesë koordinimi në mes mjekëve të Vllaznisë dhe pankinës kuqeblu.
Përtej këtyre detajeve, këto dy raste mund të krijojnë përshtypje jo të mira, mbase të gabuara, për atmosferën në klubin shkodran. Në rastin e parë, nuk pati asnjë masë për Latifin dhe sipas gjasave, as në rastin e Da Silva nuk do të ketë. Të paktën sipas deklarimeve të Xhaferit.
Rasti i brazilianit është edhe më i rëndë. Sepse sharjen, pavarësisht se në anglisht, u dëgjuan nga të gjithë dhe iu drejtuan trajnerit Brdariç. Pas ndeshjes, nuk pati një ndjesë nga ana e tij për reagimin e shëmtuar. Jo vetëm kaq. Da Silva aludon se diçka nuk shkon tek Vllaznia, duke kërkuar të pyetet trajneri Brdariç.
“Nuk di të them me saktësi nëse ai u nxitua apo nëse ka diçka tjetër që nuk shkon… Mendoj se nuk është e mundur që të përsëritet dy herë e njëjta gjë… Të gabosh një herë është normale, por të gabosh dy herë, atëherë mendoj se diçka nuk funksionon. Unë e kam një ide në kokë për këtë që po ndodh, por më mirë pyesni trajnerin sepse mund t’ua sqarojë më mirë situatën.”, mësohet të ketë deklaruar ai për mediat.
Pra braziliani aludon se mund të jetë me qëllim apo “me kunj” siç thuhet në Shkodër. Koncepti i pashkruar apo i padeklaruar se “Vllaznia nuk mund të penalizojë lojtarë si Latifi apo Da Silva sepse ua ka nevojën”, është i gabuar. Krijon një atmosferë aspak pozitive brenda grupit sepse sigurisht ka edhe të tjerë “yje” që mund të marrin shembull. Vendimet e trajnerit, edhe të gabuara, edhe të nxituara, nuk mund të vihen në dyshim nga asnjë futbollist. Jo vetëm në Shqipëri, por kudo ku ka klube të mirëorganizuara. Nga ana tjetër, ka rregullore klubi që penalizohen futbollistët që dëmtojnë imazhin e klubit. Në këtë rast, Vllaznia është dëmtuar dhe jo pak.
Klubi kuqeblu duhet të gjejë mënyrën për të riparuar dëmin e bërë nga Da Silva. Një ndjesë publike, është më e pakta që braziliani ia ka borxh jo trajnerit Brdariç por Vllaznisë mëse 100 vjeçare. Nuk do të ishte çudi që ai edhe të penalizohet. Nëse jo nga xhepi, të paktën të provojë të luajë me Vllaznia U-21 për të kuptuar peshën e fanelës që mban veshur. Nuk besoj se Vllaznia do të humbë aq shumë sa për tu penduar për mosaktivizimin e tij në një apo disa ndeshje. Raste të tilla, nuk duhen toleruar më! Në krye të herës është çeshtje e respektimit të trajnerit, klubit, tifozëve dhe historisë shekullore të Vllaznisë.
Vllaznia nuk është, nuk mund të jetë dhe nuk duhet të jetë han ku çdo lojtar reagon si ia thotë momenti. Ata janë profesionistë, si të tillë paguhen e trajtohen. Pas drejtuesve e futbollistëve aktualë, janë 100 vite histori e jashtëzakonshme, e shkruar nga emra si Rragami, Zhega e Bizi. Brezi i tyre por edhe pas tyre, nuk dilte për shumë ditë nga shtëpia nuk Vllaznia mundej në një ndeshje. Të paktë këta aktualët, të mbyllin gojën. Është minimalja që duhet tu kërkohet! /Nga Blerti DELIJA/