Ditën e djeshme, pas përjashtimeve, shkarkimeve dhe pezullimeve nga instancat e PD- së që ai kryeson, Lulzim Basha përmes Gazment Bardhi, spastroi komisionet dhe organizmat parlamentare nga deputetët mbështetës të Sali Berishës. Pavarësisht deklarimeve të deputetëve jashtë GP të PD- së në Kuvend se “veprimet e Bashës janë antikushtetuese”, kryeparlamentarja Lindita Nikolla dhe mazhoranca e Kuvendit, do ti miratojnë. Në Kuvend, për shkak edhe të selisë, vulës dhe logos, Lulzim Basha njohet si legjitim.
Të dielën, Sali Berisha nisi një tjetër tur nga Shkodra, pas “Foltores”, duke tentuar të shtojë audiencën edhe me qytetarë jashtë radhëve të demokratëve. Realisht, pallati i sportit në Shkodër, u tejmbush. Paralelisht, Lulzim Basha mbushi me mbështetës të tij një tjetër sallë teatri në Fier. Çeshtja nëse ishin të gjithë shkodranë ata që mbushën pallatin e sportit apo fierakë ata që mbushën sallën e teatrit, nuk ka rëndësi të madhe jashtë radhëve të demokratëve që e njohin njëri- tjetrin.
Sali Berisha, ndryshe nga turi i “Foltores”, nuk ka nxituar të publikojë takimin e radhës. Po ashtu, as Basha nuk ngutet të paralajmërojë se ku do të jetë, nëse do të jetë në ndonjë takim. Krijohet përshtypja se palët presin lëvizjen e radhës së kundërshtarit për t’ju përgjigjur. Nga ana tjetër, selia blu vazhdon shpërndarjen e materialeve e videove që synojnë identifikimin e Sali berishës si simbol të së keqes, të dhunës, të asaj nga e cila duhet të ndahet çdo kush. Berisha, është perqendruar tek takimi i Shkodrës, me video e mini video në faqen e tij në Facebook. Më shumë media e portale shpërndajnë mesazhet e selisë blu se ato të Berishës, tregues i impaktit teorik që mund të kenë mbi opinionin e gjërë publik. Sepse media është perceptim, jo realitet në shumicën e rasteve.
Politika u shfaqet qytetarëve në atë që quhet pjesa e dukshme me intervista, deklarata, tubime e mitingje. Pjesa më e rëndësishme, është ajo që nuk duket për momentin por shfaqet si tapa e një kallami peshku krejt papritur, sikur nga asgjëja. Ajo mbetet larg syve e vëmendjes së publikut, të cilit i serviret diçka në drejtim krejt tjetër për të punuar e pashqetësuar politika. A po ndodh kështu edhe në “betejën” për PD- në, po luajnë vetëm Basha dhe Berisha apo edhe Rama, Meta e të tjerë brenda e jashtë Shqipërisë?
Orët e fundit, në formën e një sugjerim- propozimi, Presidenti Meta duket se nxorri një indicie. Ai kërkoi që palët në konflikt për PD- në, ti drejtohen Partisë Popullore Europiane (PPE) pjesë e të cilës është kjo parti. Realisht, do të ishte negociatori më i besueshëm dhe i pranueshëm nga palët në konflikt. A po luhet pikërisht në këtë drejtim në pjesën e padukshme? Me gjasë po. Aleatëve europianë të PD- së, nuk u intereson një parti e dobët, e përçarë dhe me mundësi shumë të vogla reale për të ardhur në pushtet.
Aktualisht, situata në PD është e pazakontë. Ka një PD zyrtare me seli, firmë, vulë e institucione që njihet edhe nga shteti shqiptar. Paralelisht, është një PD tjetër që i mungon vetëm selia pasi ka vulë dhe logo, të ndryshme (por jo shumë) nga PD- ja tjetër. Ka një kryetar që është Lulzim Basha nga njëra anë por nga ana tjetër ka një…Komision Rithemelimi i përbërë nga 29 anëtarë. Ata janë gjithçka, nga kryetari, kryesia, këshilli kombëtar etj.
Mesa duket, këtu konstatohet edhe problemi i parë. Nëse dje PD- ja zyrtare dërgoi shkresa në Kuvend për të zëvendësuar deputetët pro Berishës, të njëjtën gjë, nëse kërkon të faktorizohet apo legjitimohet në institucionet e shtetit shqiptar, mund ta bënte edhe PD- ja tjetër. Por këtë shkresë, do të duhej ta firmosin 29 persona dhe që këtu, nis e çalon diçka. Meqë ka të gjitha kompetencat sipas Kuvendit Kombëtar të 11 dhjetorit, Komisioni i Rithemelimit mund të zgjedhë nga radhët e veta një përfaqësues apo kryetar. Në ditët e para pas themelimit, PD kishte vetëm një Komision Nismëtar dhe një kryetar të këtij komisioni. Sot, 32 vite më pas, nëse po veprohet në të njëjtën linjë për rithemelimin, rruga nuk mund të jetë veçse e njëjtë. Kjo, përsa kohë gjykatat nuk janë shprehur as për 11 dhjetorin e Berishës e as për 17 korrikun e Bashës, as me kalimin e afatit 30 ditor që detyron ligji.
Berisha ka njoftuar se “beteja” për marrjen e selisë qendrore vazhdon. “Kur ta vendosim ne, do të njoftojmë mënyrën e marrjes”, ka përsëritur edhe orët e fundit ish- kryeministri. Deklarata si këto, forcojnë idenë e një stand- by nga Berisha, ndoshta edhe Basha. Pritet një zgjidhje politike, qoftë edhe “deus-ex-machina”, jo vetëm nga brenda radhëve por edhe me përfshirjen e faktorëve të tjerë politikë në vend e jashtë.
Ajo që konstatohet është se Berisha nuk po tenton ta shtrijë në bazë “revolucionin” e tij paqësor. Edhe pse deklaron se po punohet në bazë me strukturat, asgjë nuk duket në sipërfaqe. KJo në emër të qasjes publike por edhe transparencës me antarësinë që e mbështet. Përveç selisë qendrore, PD- ja ka edhe më shumë se 70 të tjera vendore, të cilat sipas Berishës, do ti nënshtrohen zgjedhjeve në seksione dhe grup seksione, për të kulmuar me kryesitë e degëve dhe Kuvendin Kombëtar të 22 marsit 2022.
Reagimi i shpejtë dhe i beftë i Presidentit Meta për shpalljen e zgjedhjeve vendore të pjeshme, është një tjetër indicie. Qarkullon si mundësi e zgjidhjes së krizës në PD dhe në opozitë, “largimi i butë” i Lulzim Bashës duke e ngjitur në krye të shtetit si president, pasues i Metës. Ky i fundit, e ka nuhatur dhe kërkon ti dëmtojë imazhin, duke e sjellë si recitivist humbës Bashën në sytë e demokratëve dhe shqiptarëve. Sepse me gjasë, në 6 bashkitë ku mund të votohet, në situatën aktuale në PD, vështirë të fitohet ndonjë.
Në pritje të daljes i lirë në fushën e poilitikës partiake, para apo pas 24 korrikut 2022, Meta luan edhe për vete, për kreditet e tij të neserme politike. Përveç se një shuplakë për Bashën, shpallja e zgjedhjeve vendore të pjesshme, është një rreshtim edhe në krah të Berishës. Më shumë se për sot, për nesër, kur me largimin e mundshëm të Bashës drejt Presidencës, lidershipi i PD-së zorile do mbetej në dorën e Berishës dhe ai i opozitës, në dorën e tij dhe të Metës në krye të LSI- së.
Nëse ndosh kështu, nga ai moment, mund të ketë balancim të forcave në fushën e lojës së politikës, me mazhorancë të fortë dhe në provë të vazhdueshme por edhe me një lidership opozitar po aq të fortë Berisha- Meta. Nga aty, mbase mund të ketë një garë të vertetë për pushtetin politik në këtë vend, para apo në 2025- ën. Më shumë se nga aksionet e demonstrimit të forcës në publik e media, zgjidhja e ngërçit të madh në PD por rrjedhimisht edhe në politikë, do të vijë nga marrëveshjet. Mund të jetë të imponuara apo konsensuale, pak rëndësi ka. Sepse “ujët e gamiles po soset”! /Nga Blerti DELIJA/