Shkruan në Facebook Dom Nikë Ukgjini: Me datë 15 janar, 2022, mësova lajmin së Kisha e Shën Nikollës në Zejmen, monumente kulture, u shemb në muret anësore, ku në pjesën e murit verior mbante në vete gjurmë të konsiderueshme të afreskeve të shekullit të XIII- të.
Mbi fushën shkëmborë të Zejmenit, përballë Kishës se Pllanës, gjendej kisha më mure të plota, e ndërtuar dhe rindërtuar disa here për shkak të dëmtimeve qe ju bënë gjatë pushtimeve osmane për 500 vite me radhë.
Ajo e cila përmendet në relacionet e Marin Bicit në vitin 1610, si objekt kishtar me vlera të mëdha arkitekturore, me hajat për 200 persona dhe me shumë afreske të shpërndara në gjithë ambientin, tashme pjesët e rëndësishme të saj, për shkak te mosmirëmbajtjes nga Ministria e Kulturës, mjerisht nuk ekzistojnë më. I ndihmuar edhe nga tërmeti gjatë këtyre ditëve dhe dëmtimi i kohës, bënë që dy muret të jenë rrafshuar për tokë.
Gjatë vitit të kaluar e kam vizituar disa herë më qëllim të përvishem punës së bashku me Fra Landin për përforcimin dhe restaurimin e mureve dhe vendosjen e një çatie provizore në mënyrë që të ruhet nga shkatërrimi i mundshëm, ajo pasuri me vlera të madhe, kulturore dhe historike për popullin shqiptar.
Por ja, ndodhi ajo që ndodhi dhe tani shkova me Fra Landin dhe Dom Pashkun, me zemër të plasur për ta vizituar ashtu të shtrirë për tokë, me shprese së do gjejë forcë për t’ i ringritur ato mure edhe njëherë dhe për t’ i kthyer në gjendje siç kanë qenë, por i vetëdijshëm se asnjëherë nuk do jetë ajo zonjë që ishte, si dëshmitare e një historie 700 vjeçare të dinjitetit dhe identitetit tonë.