Një njeri që kthehet në atdhe pas 5 vitesh dhe nuk e ka më nënën gjallë… Familjen ia kishin internuar dhe e fejuara që nuk kishte asnjë ide se kur do të kthehej dhe çfarë do të bëhej me ta. “Për fat të mirë, sistemi ra pas pak vitesh dhe unë arrita të kthehesha në Shqipëri.
U martova me të fejuarën që lashë në 1987 dhe sot kam tre djem me të. Ne e duam Shqipërinë dhe ajo ka ndryshuar shumë, por këto vitet e fundit kam vënë re se shqiptarët shumë gjëra i duan me hile. Hile, oh sa shumë hile…
Duan gjëra pa djersë dhe pa u lodhur. Por, nuk e kanë vuajtur atë sistem si ne për të kuptuar se sa e rëndësishme është liria dhe se gjërat duhet t’i jetojnë thjesht dhe pa strese e pa hile”, thotë Arvid Hoxha ekskluzivisht për “Panorama Sport” në pjesën e fundit të historisë së tij të arratisë.
Pas gjithë kësaj historie, gjithë kësaj peripecie, kur u takuat për herë të parë me familjarët tuaj?
Jam takuar në vitin 1992. Atëherë ka qenë hera e parë, pas 5 vitesh pra. Unë kisha marrë letrat në Amerikë dhe bëra udhëtimin e parë në Shqipëri. Në vitin 1991 kam marrë vesh që nëna ime nuk jetonte më. Këtë e mësova nga një shoku im që arriti të shkonte në Shqipëri dhe e mori vesh këtë.
Cili ishte impakti juaj kur shkelët në Shqipëri pas gjithë kësaj aventure gati të paimagjinueshme?
Cili është impakti pas 5 vitesh? Ishte një moment shumë i vështirë për sa i përket ballafaqimit që do të kisha unë me vendin tim, që me thënë të drejtën nuk do ta kisha lënë kurrë. Por, fati është gjë e madhe, fati që sistemi u rrëzua sepse të mos rrëzohej sistemi, kushedi se kur mund të kthehesha. Siç pashë shumë e shumë njerëz që po vuanin, ishin plakur pa parë familjet e tyre. Por, meqë ky ishte fati im, këtë udhëtim nuk mund ta përshkruaj… Ishin emocione shumë të forta dhe një ndjesi e papërjetuar më parë…
Pse?
Sepse gjithë kohën kisha mendime të shumta në kokë. Mendoja: Si do të reagojnë njerëzit? Si do të përballem me njerëzit që janë dëmtuar pa të drejtë prej një vendimit tim dhe ata nuk kishin absolutisht asnjë faj? Njerëz të familjes, të fisit, shokë, miq që kam pasur edhe e fejuara që kam pasur në atë periudhë dhe është bashkëshortja ime sot. Si do të reagonte ajo kur të më shihte…?
E dinte ajo që ju do ta merrnit atë vendim?
Nuk mund t’ia thoshe askujt në atë kohë. Në atë kohë absolutisht nuk mund ta thoshe, ndryshe ishe i mbaruar.
Sa kohë ndenjët pa asnjë komunikim me të fejuarën, bashkëshorten tuaj sot?
Nga viti 1987 deri më 1992.
Më pas si folët me të?
Në vitin 1992 kam folur me të, kur shkova në Shqipëri.
A pati ndonjë shpërthim emocional, mos vallë ju tha: “More i poshtër, more… si më le kështu?”
Jo, jo, nuk tha absolutisht ashtu. Ajo e dinte që unë nuk e kisha lënë kurrë, nuk kam pasur mundësi ta lë kurrë. Ashtu si nuk e kam lënë unë, nuk më ka lënë as ajo. Dhe sot jemi bashkë dhe gëzojmë bashkë tre fëmijë dhe kalojmë jetën të lumtur.
Kur vendosët të iknit në Amerikë?
Pas afro një viti që unë nuk po luaja. U binda se erdhi momenti për të lëvizur. I them Lulit të shkojmë të japim intervistën në ambasadë, por ai nuk deshi. Shkova unë e dhashë, madje edhe përkthyesi që duhet të vinte të bënte përkthimin në ambasadën amerikane nuk erdhi të më përkthente. Nuk ishte Ilir Bulka, por përkthyes tjetër.
Aty ishin njëzet e ca polakë, vetëm unë isha shqiptar dhe ndenja i fundit në takim. Në fund thashë se çfarë bëhet me mua. Më thanë: “A ke përkthyes?” U thashë që s’kishte ardhur përkthyesi. “Flas unë, – u thashë, – se kam mësuar greqisht, edhe anglisht flas pak”. Në atë kohë doli ambasadori dhe kam folur me të greqisht. Ai filloi të qeshte dhe më tha: “Hoxha, ti e ke marrë vizën për Amerikë, po ku është Bërsheni”.
I thashë që Bërsheni nuk kishte pasur mundësi të vinte se kishte një problem të tijin. “Thuaj Bërshenit, – më tha, – javës tjetër të vijë në takim”. Shkova në shtëpi dhe i thashë Lulit: “Hajde vëlla të shkojmë aty”. “Jo, – më tha, – dua të rri këtu të luaj futboll”. Luli, në fakt, e kishte mundësinë të luante. Unë e humba mundësinë të luaja futboll dhe prandaj nuk kisha më interes të rrija në Greqi. Ata donin të më mbanin në Greqi.
Klubi i Panioniosit na bëri ofertën: “Të hapim biznes, të hapim punë, vetëm rrini bashkë këtu”. Mundësia për të luajtur mua m’u ofrua edhe në Qipro, por aty unë nuk doja të shkoja se nuk më jepnin garanci jetike. Nuk më garantonin për udhëtimin. Atëherë vendosa të shkoja në Amerikë, sepse udhëtimin e kisha të garantuar.
Çfarë bëtë në Amerikë?
Kur erdha në Amerikë, kam luajtur me Grekamerikanatos. Nuk ishte ndonjë sadisfaksion sa u takon të ardhurave. Ishte një gjë amatore sa i takon asaj periudhe. Këtu u bë ndarja përfundimtare me futbollin. Gjithmonë me një qëllim që kujtdo që t’i ecë mirë, mua ose Lulit, çdo gjë do ta bëjmë bashkë dhe do të bëjmë të pamundurën për t’u takuar me familjet dhe të bëjmë diçka për familjen. Ajo punë më ndodhi mua kur u hap Shqipëria.
Kur e takuat sërish Lul Bërshenin?
Lulin e kam takuar tri herë pas vitit 1995. Sa herë që kam shkuar për të ndenjur në Greqi, kam qenë me Lulin.
Kur e keni takuar për herë të fundit?
Pas vitit 1997 nuk e kam takuar më.
Por flisni, besoj, me njëri-tjetrin?
Po. Përditë, përditë. Por, fizikisht nuk jemi takuar më. Jeta ka atë vazhdën e vet, problemet e veta dhe ne mbetemi në distancë. Jo po vij unë, jo po vjen ti… Fatkeqësisht, s’jemi takuar fizikisht, por me zemër jemi bashkë.
Ju keni tre djem, apo jo?
Po. Kam tre djem.
Ua ke treguar djemve gjithë këtë histori që më treguat mua, me kaq shumë detaje? A ju kanë pyetur ndonjëherë: “Bab, si mbërrite këtu?”
Ua kam treguar të gjithën me detaje. Ata janë të rritur dhe e kuptojnë.
E kuptojnë dot ata, sepse janë rritur në kushte të tjera, jo në ato kushte që jeni rritur ju? E perceptojnë dot atë realitet?
E kanë pak të vështirë ta kuptojnë. “Si ka mundësi, – thonë, – që të ndodhë kjo?” E kanë të vështirë ta konceptojnë ta vuajë familja meqë ti more një vendim për jetën tënde, ç’punë ka nëna, babai, vëllai, xhaja, halla, tezja, ç’punë kanë ata të dëmtohen në këtë mënyrë? Të dëmtohen shpirtërisht. Babai im sot është 87 vjeç dhe ajo ditë është dita më e keqe e jetës së tij. Shteti për të cilin ai punoi gjithë kohën, dha anën materiale, shpirtërore, me ndershmëri, respekt, një ditë e diskreditoi, e hodhi poshtë.
Çfarë ndodhi me babanë tuaj pasi ju u arratisët?
Ata kanë pësuar shok nga mënyra se si regjimi i ka trajtuar. I internuan, i keqpërdorën, i keqtrajtuan nga çdo aspekt i të drejtave jetike që mund të ketë një person. Por, nuk duhet ta harrojmë që edhe brenda sistemit ka pasur gjithmonë njerëz të mirë. Edhe në vendet drejtuese ka pasur njerëz të mirë, por që nuk kanë mundur të bëjnë më shumë, por janë munduar në çdo mënyrë t’ua lehtësojnë, t’ua heqin dhimbjen.
A keni menduar ndonjëherë për hakmarrje?
Jo, unë nuk jam për hakmarrje. Kam dëgjuar shpesh jo po e kishte fajin Muho Asllani, jo po kështu, jo po ashtu…
Ç’punë kishte Muho Asllani?
Muho Asllani e njihte shumë mirë familjen time. Muho Asllani e njihte familjen e Bërshenit shumë mirë. Brenda ligjeve që kishte shteti shqiptar, ligjeve që i kishte bërë vetë, familjet tona nuk duhet të internoheshin. Nuk duhet të internoheshin se ne nuk mund të quheshim të internuar.
Ku i çuan familjet tuaja?
Familja ime është internuar në Shllak. Një vend, që në atë kohë, ne themi ku ha pula gurë. Vëllain e larguan nga shkolla në lulen e jetës së tij. Atë e mbytën, e hoqën nga shkolla, njerëzit që donte, i kishte për zemër, dikush kishte frikë të rrinte me të, se ishte vëllai i të arratisurit. Dikush tjetër thoshte: “Le të bëjnë ç’të duan unë dua të rri me të”.
Sa motra e sa vëllezër keni ju?
Unë kam vetëm një vëlla.
Ju tha ndonjëherë vëllai ose babai më vonë: “Arvid, ç’na bëre me atë vendim?”
Jo, kurrë, kurrë. Asnjëherë. E vetmja gjë që kishin, të pakënaqur për vendimin që kishte marrë shteti kundër tyre.
Nuk e prisnin që të ishin aq të ashpër?
Nuk e prisnin të ishin aq të ashpër, sepse në bazë të ligjeve të shtetit në atë kohë, ne quheshim njerëz që… Unë i dija, i kisha lexuar të gjitha, ndaj e mora këtë vendim. Neni thoshte: “Njerëzit që dalin me detyrë shtetërore, sikurse ishim ne me detyrë, familja ka të drejtë t’i kërkojë shtetit ku është fëmija im dhe jo shteti ta dënojë familjen”.
Ne nuk ishim të arratisur nga kufiri, ishim të arratisur me detyrë shtetërore. E kam lexuar atë nen edhe me Bulkën dhe e kemi diskutuar me Ilirin dhe më ka thënë: “Nëse njerëzit janë të rregullt, familjet tuaja të paktën nuk duhet të internohen, jo më të diskriminohen”. Por, ajo ndodhi dhe nuk kthehet më mbrapa dhe i thonë historia ndodh një herë.
Po të ktheheshit prapa në kohë, a do ta bënit sërish të njëjtën gjë?
100 për qind po, pa diskutim. Madje, një gjë që do të kisha dashur po të kthehesha në kohë do të ishte të kisha ikur më herët, po të kisha pasur mundësi që 16 vjeç.
Po ku të kishit ikur më herët, në Greqi apo në Amerikë?
Kudo, pak rëndësi ka. Vetëm të ikja. Shqipëria, në periudhën që ne na quanin të privilegjuar, ka qenë jashtë çdo kushti jetik, po e krahasoj me Greqinë apo Jugosllavinë, nuk po bëj krahasim me të tjera shtete në çdo drejtim.
Jashtë çdo kushti sepse ishte e varfër, totalitare, moniste dhe ishte e pazhvilluar?
Varfëria është anë jetike, por presioni psikik që ishte mbi njerëzit, e drejta e çdo gjëje, liria e çdo gjëje, gjënë më elementare, të këndoje një këngë, të dëfreje si njeri i lirë, si i ri, ishin të parealizueshme.
Po sot, si është Shqipëria?
Sot në Shqipëri kush është i zoti punon. Çdo shtet ka mangësitë e veta dhe unë nuk merrem me politikë. Unë kam punuar për të nxjerrë jetën time, politika është jashtë procesit tonë. Ne nuk jemi familje për t’u marrë me politikë. Por, për syrin tim, Shqipëria është e jashtëzakonshme në krahasim me atë çka ka qenë. Ka qenë me biçikleta dhe sot gëzojnë çdo gjë, por i keqtrajtojnë gjërat, nuk i marrin me rrugën e drejtë që duhet jetuar e gjithë kjo.
Pse e thoni këtë?
Shikoni, ne po jetojmë këtu në Amerikë, por e dimë ç’është e drejta dhe hilet nuk shkojnë shumë. Kur bën hile, ti i ke bërë hile vetes. Kurse në Shqipëri pa bërë hile, nuk jetohet. Ky është ndryshimi që shoh unë.
Gjithsecili do të bëjë hile, gjithsecili do me e marrë një lek pa djersë. Po pse kështu?! Unë i jap para kamerierit që më shërben, por jo një njeriu që paguhet për gjithçka. Unë vij shpesh në Shqipëri, sepse është vendi im. Dhe fëmijët gëzojnë, kanë kënaqësi të madhe edhe pse janë të lindur në Amerikë, ata gëzojnë që janë shqiptarë. E para gjë që thonë: “Jam shqiptar”.
Kur shkoni në market dhe blini një pulovër ose një palë xhinse a e çoni në mend ndonjëherë Helsinkin? Ose ndonjëherë kur fëmijët tuaj kanë qenë të vegjël dhe janë llastuar, se nuk u pëlqente xhupi ose xhinset që kishin veshur, a keni thënë ndonjëherë: “Eh mor djalë, ç’më është dashur të heq unë për një gjë që doja ta blija, por më koklaviti jetën…?”
Është pyetje shumë e bukur. Sigurisht që po, e kam menduar, por nuk e kam shprehur kurrë. Nuk dua ta shpreh dhe t’i fus ata në këtë gjë. Ata kanë jetën e tyre, por shumë herë më shkon mendja. Po janë punët e Zotit. Thonë ndodh diçka për të sjellë diçka tjetër. Kjo ishte sikur ta çonte Zoti me dorë të vet, ja të erdhi koha.
A keni pasur kontakte gjatë këtyre viteve me ish-shokët tuaj të futbollit, të skuadrës të Vllaznisë, me ish-trajnerin, me Hafizin?
Po, po. I kam pasur të gjithë të ftuar në dasmë. Kanë qenë të gjithë aty në dasmën time. Kemi kërcyer, ngrënë, pirë, kam kontaktuar me ta për çdo gjë dhe sa kam pasur mundësi brenda kushteve, mundësive të mia, nëse më është dhënë mundësia, i kam ndihmuar dhe respektuar.
Astritin, profesor Esatin që vdiq këtu në duart e mia dhe ia bëmë të gjitha nderet, Ferid Rragamin, Ferid Bushin, Hysen Zmijanin, Bardh Jerën, Isak Pashain, Lul Bërshenin, Ilir Kepën, Avenir Danin, Paulin Ndojën, me breza të tërë, Ismet Hoxhën, Hysen Rragamin, kur vijnë këtu, bëhemi të gjithë bashkë. Vazhdojmë të jemi të pandarë. Kur vij në Shqipëri, gjithmonë do të shtrojmë darka ose dreka, do të rrimë të qeshim e lozim me njëri-tjetrin.
A keni folur ndonjëherë kaq gjatë sa në këtë intervistë për historinë tuaj?
Të them të drejtën, jo. I vetmi njeri që i kam premtuar që do ta tregoja ta shkruante, por fatkeqësisht nuk arriti, ishte Ramazan Bigza. Doja të shkoja në Athinë dhe me Lulin t’ia bënim komplet udhëtimin, ka qenë Ramadan Bigza. Ramadani gjithmonë më thoshte: “Arvid, të lutem, të lutem”, dhe i kam thënë: “Kur të vij në Athinë, do ta tregoj.
Unë me Lulin do të ecim dhe ti do të vish pas nesh”. Por, fatkeqësisht, ai u nda nga jeta nga një infarkt dhe nuk arritëm ta bënim. Kam folur me Dashnor Kaloçin, ka bërë një emision për mua dhe Lulin, “Arratisja e madhe”. Kaloçi më kërkoi një intervistë dhe ia kam dërguar me video. Brenda kushteve që ai kishte për të realizuar programin e vet, ka marrë disa fragmente. Në bazë të pyetjeve që më bëri, i dhashë një intervistë-video. E di që nuk është e lehtë, por vetëm me kalvarin që kemi hequr në Athinë mund të bëhet një libër. /Nga Jetmir HALILAJ, PanoramaSport.al/