Ikona e klubit Partizani dhe futbollit shqiptar Robert Jashari është ndarë nga jeta në moshën 83-vjeçare. Klubi i kuq në një reagim në rrjetet sociale, ku shpreh ngushëllimet për familjen dhe të afërmit e Robert Jasharit, thotë se futbolli shqiptar ka humbur një kolos.
Jashari ka qenë titullar për shumë vite me Partizanin por edhe me skuadrën kombëtare.
Ai është autori i golit të parë historik gjysmë shekulli më parë në Irlandën e Bestit.
“Robert Jashari rregjistron një karrierë të papërsëritshme, unik në stilin e të luajturit, po kështu edhe në drejtim si trainer”, shkruan klubi i Partizanit në postimin në rrjetet sociale.
POSTIMI I KLUBIT TË PARTIZANIT
“LAMTUMIRË KAMPIONI YNË ROBERT JASHARI!
Familja e kuqe dhe futbolli shqiptar humbën një kolos.
Me keqardhje të thellë njoftojmë sot lajmin e trishtë të ndarjes nga jeta në moshën 83 vjeçare të ikonës së klubit Partizani dhe futbollit shqiptar Robert Jashari.
Titullar për shumë vite me Partizanin e madh dhe i skuadrës kombëtare, autori i golit të parë historik gjysmë shekulli më parë në Irlandën e Bestit. Ai rregjistron një karrierë të papërsëritshme, unik në stilin e të luajturit, po kështu edhe në drejtim si trainer.
Në karrierën e tij 15-vjeçare, Jashari është shpallur 7 herë kampion dhe fitues i 6 kupave me Partizanin.
Në tri sezone: 1962-’63, 1963- ’64, ’64-’65 Jashari është shpallur tre herë radhazi golashënuesi më i mirë shqiptar.
Ai ishte pjesëtar i skuadrës së Partizanit, triumfues me medaljet e argjendta në dy turnetë më të famshëm të kohës, në Lajpcig në vitin 1958 dhe në Hanoi në dhjetor të ’63-shit. Në këtë të fundit ka qenë shënuesi më i mirë, me 11 gola.
Në moshën 21-vjeçare, në vitin 1958 Jashari ka marrë titullin “Mjeshtër Sporti”.
Kur u tërhoq nga futbolli i luajtur, jeta dhe karriera sportive e tij mbeti e lidhur vetëm me klubin Partizani, si futbollist dhe trajner.
Klubi i Futbollit Partizani i përcjell ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe miqve.
I paharruar kampioni ynë Robert Jashari