Kryetari i PD- së Shkodër Xhevdet Amuli do të jetë kandidati i Lulzim Bashës për zgjedhjet vendore të pjesshme në këtë bashki me 6 mars 2022. Lajmi është bërë i ditur nga Syri.net, i cili bën me dije se tashmë ky emër është vendosur nga vetë Basha si kandidat për Bashkinë e Shkodrës.
Amuli është kryetar i PD Dega Shkodër që nga dhjetori 2018, ku mundi në garë kryetarin e atëhershëm Ramiz Çoba me vetëm pak vota. Ai është një nga kryetarët vendorë demokratë që kanë vijuar të mbështesin Lulzim Bashën pas 9 shtatorit 2021, kur nisi në PD përplasja me Berishën për lidershipin e PD- së në qendër.
Ndërkohë, dy ditë më parë ka dalë edhe emri i kandidates së PS- së për Bashkinë e Shkodrës. Edhe pse nuk është zyrtarizuar, kandidate potenciale mund të konsiderohet Majlinda Angoni, aktualisht Prefekte e Shkodrës, në këtë detyrë nga viti 2019.
Pritet të zyrtarizohet edhe kandidatura e Komisionit të Rithemelimit të PD- së për Bashkinë Shkodër, e cila sipas asaj që është deklaruar, do të jetë produkt i primareve. Deri me 24 janar 2022, secili mund të propozojë apo vetëpropozohet për këtë garë, ndërsa me 30 janar do të vendorë antarësia për kandidatin që do ti paraqitet qytetarëve shkodranë me 6 mars 2022.
Duket se do të jetë një garë me tre emra për Shkodrën, por nuk përjashtohet të ketë edhe surpriza. Qoftë me emrat e kandidatëve por edhe me numrin e tyre. Mbase mund të ketë edhe subjekte të tjera politike që mund të paraqesin kandidaturat e tyre. Me shumë mundësi jo për të fituar por si “hakmarrje” për mosarritjen e bashkëpunimin me “të mëdhenjtë”.