“Më vjen zor të shkoj dhe të përballem me demokratët pasi do më thonë, ti po na thua tani për Bashën, kur më parë na the të manipulonim votat për të? E kanë bërë të gjitha strukturat e PD-së Nisida dhe prandaj nuk mund të angazhohem më shumë me Komisionin e Rithemelimit. Jam përgjegjës i kësaj situate të rëndë që ndodhet PD-ja”.
Kjo është deklarata e Edi Palokës, sot vetëm deputet i PD- së por më herët edhe nënkryetar i saj dhe nënkryetar i Kuvendit. Nuk ka asnjë dyshim se deklarata, ndoshta e pamatur mirë, e nxituar apo e pa studiuar, ka patur si qëllim parësor delegjitimimin e zgjedhjes së Lulzim Bashës me 13 qershor 2021 si kryetar i PD- së. Në fakt, ka evidentuar një problem që shumëkush e di apo e njeh, sidomos ata që kanë qenë këto 31 vite pjesë e partive politike e shoqatave në këtë vend.
Ky fenomen nuk është konstatuar vetëm 8 vitet e fundit në PD. Me gjasa, ka ekzistuar dhe jo vetëm në PD por edhe në PS, LSI për të vijuar me të gjitha partitë e tjera. Por sot, Edi Paloka pati guximin apo pakujdesinë ta thotë me zë të lartë, para mediave, duke hapur një kapitull jo të pa hamendësuar nga shumica e shqiptarëve.
Garat në partitë politike shqiptare, mund të numërohen me gishta këto 3 dekada, madje janë më pak se gishtat e një dore. Kryetarët janë konsideruar të përjetshëm dhe ka qenë, është e do të jetë shumë e vështirë të largohen apo shkarkohen, qoftë edhe kur janë humbës dhe e përdorin vulën e logon e partisë për enturazhin rrotull e më shumë për vete.
Këtë herë, një njeri jo pa informacion për shkak të pozicioneve që ka mbajtur, ka folur për manipulim. Nëpër tavolina kafenesh, është folur por duke e zbukuruar me termin “lobim”. Në vetvete, apo në gjuhën e përditshme, ashtu siç e pohoi Edi Paloka, ka qenë manipulim. Se si është organizuar konkretisht ky manipulim, mbase mund ta zbardhë në mënyrë spontane vetë Paloka. Prokuroria me shumë gjasa nuk ka këllqe të merret me këtë temë, sidomos kur flitet për një parti politike.
Që partitë politike janë parti të kryetarëve të tyre, ishte aksiomë veçanërisht për partitë e vogla me “një furgon elektorat”. Siç edhe ka raste të tjera, ku votimi për kryetarët është hequr fare dhe mjafton fitorja e zgjedhjeve politike të radhës për rikonfirmimin e kryetarit. Rasti është i PS- së që nga 2009- a nuk bën zgjedhje për kryetarin, ndërsa organet kolegjiale, pavarësisht se mund të konsiderohen pjesë e suksesit të liderit, vazhdojnë të votohen.
Sistemi i manipulimit, teorikisht duhet të funksionojë jo vetëm në nivelet e larta por edhe në bazën e partive. Anëtarët e partive me të drejtë mund të kërkojnë llogari: Ç’ ju duhet jo anëtarëve të fusin hundët në partinë tonë, si votohet apo manipulohet vota? Dhe deri diku kanë të drejtë. Ata që janë kundër manipulimit, për një demokraci 100% të pastër, të krijojnë një parti bazuar mbi këto rregulla.
Në fakt, është shkelje e hapur e Kushtetutës, e ligjit “Për partitë politike” dhe në finale, e garës së ndershme e të drejtë brenda një organizimi mbi baza vullnetare ideologjike e parimore. Është një nga arsyet sot që, nëse i bie infakrt një kryetari partie (sepse nuk ka rrugë tjetër për ti largua) dhe ndërron jetë, nuk ka një figurë që të dalë para për ta zëvendësuar. Është ai që është konsideruar si “qarkullimi i elitave” dhe që tash 30 vjen në Shqipëri nuk ka ndodhur.
Nga këtu burojnë të gjitha. Me rregullin e “treshit”, i bie se as kandidatët për kryetarë, keshilltarë, deputetë nuk janë ata që e meritojnë apo votohen realisht nga baza e partive. Sepse manipulimi shtrihet në çdo nivel. E njëjta gjë edhe për pozicione të tjera, me përzgjedhje apo konkurrim në nivele të ndryshme të administratës kur partia vjen në qeverisje.
Këto 30 vite, është folur në shumicën e rasteve për manipulime të zgjedhjeve, sidomos nga partitë që kanë humbur garën politike apo për pushtetin administrativ. Ka patur protesta, demonstrata, revolta, madje edhe në vrarë në sheshet e Shqipërisë. Po si mendoni, ai që është mësuar të ruajë apo të fitojë karrigen brenda partisë me manipulim votash, a nuk do të bëjë të njëjtën gjë edhe për karrige më të rëndësishme të pushtetit në nivel kombëtar apo vendor? Sigurisht që po, madje do të përdorë metoda edhe më të sofistikuara, të përllogaritura për ti garantuar suksesin. Atëherë, sidomos antarët e partive, nuk duhet të ankohen e të protestojnë për manipulime të zgjedhjeve, kur vetë brenda “familjeve të tyre politike”, përdoret i njëjti standard.
Çdo strukturë e këtij shteti, në të gjitha nivelet, buron nga politika, nga partitë politike. Pse këto institucione, organizma shtetërorë, duhet të jenë më të ndershëm se ato që i gjenerojnë?! Sepse themeli është i kalbur por askush nuk mund ti shembë dot. Arsyet u përpoqëm ti sqarojmë më lart. Me aq sa patëm mundësi. /Nga Blerti DELIJA/