Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka reaguar pas publikimit të audio-përgjimit të nxjerr sot nga Federata Shqiptare e Futbollit, në të cilën kyebashkiaku akuzohet për ndërhyrje në garën për kreun e FSHF.
Por Erion Veliaj ka reaguar për këtë ngjarje, duke thënë se i qëndron fjalë për fjalë atyre që ka thënë, ndërkohë që akuzon FSHF-në se po angazhohet duke bërë përgjime për llogari të Armand Dukës, të cilin e etiketon si “beu i FSHF” dhe “mbreti lakuriq”.
“U qëndroj një për një atyre që kam thënë në atë palo përgjim të Federatës së Futbollit, e cila në vend se të garantojë barazinë e garës për kreun e saj, angazhohet në përgjime dhe shantazhe për llogari të beut të saj!
LEXONI EDHE: FSHF publikon audion tronditëse të Erion Veliajt, kërcënim e fjalor rruge ndaj anëtarëve tanë!
Bashkia e Tiranës është aksionere e Klubit të Futbollit “Tirona”, prandaj askush të mos ngatërrojë përkatësinë time në PS me përfshirjen time si aksioner në këtë proces zgjedhor të manipuluar nga beu i FSHF-së, apo të nxjerrë jashtë konteksti një bisedë djemsh, si në çdo fushë futbolli para ndeshjes!
“Pavarësia” e FSHF-së nuk mund të jetë gjethe fiku për një mbret lakuriq që është kthyer në neverinë e aksionerëve e dashamirësve të futbollit shqiptar, i cili thjesht nuk e ka pëlqimin tonë si një prej aksionerëve.”- thekson Veliaj.