Detaje të reja janë zbardhur nga vrasja për gjakmarrje e 65-vjeçarit Lek Lekgjonaj, nga 17-vjeçari Florian Përvathi, i cili mori hakun e babait të tij të vrarë nga vëllai i viktimës, kur ai ishte vetëm 5-vjeç. Një i afërm i 17-vjeçarit, zbulon për emisionin “Me zemër të hapur” se Floriani ishte një artist, i cili kishte pasion pikturën. Këtë e dëshmon dhe vetë profili i 17-vjeçarit në Instagram, ku ai ka publikuar disa nga piktuarat e tij.
Sipas të afërmit, Floriani nuk është ushqyer kurrë nga familja për hakmarrje. Megjithatë 17-vjeçari duket se kishte kohë që po e planifikon hakmarrjen për babain, pasi në “bion” e tij të Instagramit shkruhet “nuk jam hakmarrës, por po kthej nderin”.
“Kanë mbetur 4 jetima. Ai ishte artist, por e la punën dhe punonte në një lavazh. Lajmin e mora vesh nëpërmjet medias.
Konflikti mes babait të Florianit dhe 65-vjecarit, ka qene krejt banal. Ne nuk e kemi ushqyer me gjakmarrje. Ai ende si ka bërë 17 vjeç. Në prill ka ditëlindjen. Babain ia vranë për një dhi që hyri në një kopsht. Në ngjarje u plagos edhe vëllai i Florianit Ai qëndroi me paterica 6 muaj. E ëma vrau veten pak minuta pasi i vranë të shoqin. Floriani u rrit nga gjyshja e cila është 92 vjeç tani dhe është invalide. Gjyshi ka 3 ose 4 vjet që ka vdekur.”, tha i afërmi i 17vjeçarit.
VRASJA
Ngjarja ndodhi rreth orës 12:00 të së hënës në fshatin Manati, ndërsa viktima është shtetasi Lek Lekgjonaj, banues në këtë fshat. I moshuari u qëllua me pistoletë, sapo zbriti nga automjeti tip “Ford” brenda oborrit të shtëpisë së vëllait të tij.
Katër plumba e prekën në organet jetësore, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme, ndërsa autori u prangos nga Policia disa minuta pas ngjarjes, si dhe u sekuestrua arma e krimit, një pistolete me mulli.
Autor është 17-vjeçari Florian Përvathi, banues në fshatin Manati dhe krimin ka deklaruar se e ka kryer në shenjë hakmarrjeje, pasi vëllai i viktimës i kishte vrarë babanë kur ishte vetëm 4 vjeç. Referuar dinamikës së ngjarjes, bëhet me dije se adoleshenti e ka planifikuar mirë vrasjen.
Ai ka hyrë në këmbë brenda oborrit të shtëpisë dhe sapo 65-vjeçari ka zbritur nga makina, ka qëlluar në drejtim të tij. Pasi ka rënë në tokë, ai e ka qëlluar edhe njëherë pas shpine dhe kur është bindur se ka vdekur, është larguar nga vendi i ngjarjes me një automjet tip “Audi” që e priste në rrugën kryesore.
Shtëpia ku ndodhi krimi ishte e vëllait të viktimës, i cili kishte kryer vrasje dhe aty nuk jetonte njeri.
Për ngjarjen e rëndë, Policia lokale e Lezhës u njoftua nga banorë të zonës. Blutë u vunë menjëherë në lëvizje, duke bërë të mundur që brenda një kohë të shpejtë të neutralizojnë e të prangosin autorin e dyshuar të vrasjes, pikërisht 17-vjeçarin.