Në shoqërinë shqiptare, historia merret mbarë e mbrapsht dhe pothuaj të gjithë kanë të “vërtetat” e tyre mbi ngjarje, në të cilat e për të cilat, as kanë qenë pjesëmarrës apo dëshmitarë okularë, as posedojnë ndonjë dokumentacion autentik dhe as bazohen mbi burime arkivore, siç mund të jenë përveç atyre dokumentare, gazetat e kohës, monografitë, fotografitë, xhirimet filmike etj. Për të mos folur pastaj për çështjen e metodës…
“The spirit of Democracy is not a mechanical thing to be adjusted by abolition of forms . It requires change of heart” (Mahatma Gandhi).
Historia nuk bëhet me biseda apo thashetheme kafenesh nga njerëz të vegjël, as me fallsifikime letrash si në komunizëm, as me mungesë serioziteti apo “ngut për…”, por me burime të besueshme dhe dëshmitarë të besueshëm që kanë kontribuar jo thjesht për emër dhe karrige, por për demokracinë e vërtetë. Demokracia e vërtetë fitohet prej heronjve dhe gëzohet nga populli. Tek ne, lëvizja demokratike u realizua me kontributin e heronjve, por sukseset po gëzohen prej parazitëve, që si morrat krijojnë folenë e tyre për të pirë gjak. Në vendet demokratike parazitët fishken vetiu nga sfida e proceseve të shpejta dhe qarkulluese, në vendet diktatoriale dhe me demokraci të dobët, lulëzojnë në përmasa të rrezikshme! Ky është paradoksi më i çuditshëm në shoqërinë shqiptare.
Ndërkohë që Partia Demokratike po kërkon nëpërmjet një procesi shkencor historik të njohë dhe vlerësojë kontributet e demokratëve në vite, nismë që është përshendetur nga demokratët e vërtetë, ndodh që në hapat e parë të këtij procesi, për motive që ende nuk janë bërë të qarta, të shtrembërohet e vërteta mbi themelimin e degës së PD-së Shkodër. Nga sa kam parë në një dokumentar mbi këtë temë, (shfaqur nga TV Rozafa), duke e krahasuar me tekstin e botuar nga Eduard Grishaj, (i shfrytëzuar pjesërisht nga dokumentari) rezulton që teksti është cunguar dhe se dokumentari nuk është pregatitur me seriozitetin e duhur! Kështu, krejt pavend nga objektivi i dokumentarit, paraqitet si dokument lista e të zgjedhurve në Komisionin Drejtues të degës së PD-së Shkodër në Konferencën e I-rë të saj, zhvilluar në shtator 1991, pothuaj një vit më pas nga ngjarjet për të cilat bëhet fjalë. Së dyti, në vend të nismëtarëve rezultojnë të kooptuarit, njerëz të cilët meritojnë respekt, por që nuk mund të nderohen për atë që nuk kanë bërë, çka do të thotë që nuk mund të përfshihen si kontribues nismëtarë.
Nga lista e nismëtarëve hiqet emri im dhe i vëllait tim Eduard Grishaj, që kemi punuar si pak kush tjetër në PD. Po kështu nuk përmenden kontributi si nismëtar i z. Arben Lika, i zgjedhur si koordinator mes degës së PD-së Shkodër dhe Qendrës në Tiranë, i z. Mark Mëhilli, i z. Tefalin Malaj, z. Viktor Kasneci, z. Ibrahim Bilali dhe disa aktivistëve të tjerë jo më pak të rëndësishëm, (edhe pse dokumentohen nga fotografia e mitingut 3 Janar 1991. Dikur Bonoparti thoshte : “ Një foto është e barabartë me njëmije fjalë” ) lufta dhe përpjekja e të cilëve nuk kishte synim përfitimet vetjake, por vendosjen e demokracisë dhe fitoren e PD-së, si forca që ndërmori përgjegjësinë historike për këtë mision. Ne luftuam, jo vetëm për krijimin e PD-së, por dhe rritjen e konsolidimin e vlerave të saj ndër vite.
Dokumentari i realizuar me ngut dhe pa konsulencën intensive të nevojshme mbi historinë e krijimit të degës së PD-së në Shkodër, në mënyrë specifike, nga dita e parë e themelimit të PDSH me 12 dhjetor 1990 deri në formimin e Komisionit Nismëtar të Degës së PD-së Shkodër me 11-12 Janar 1991, përbën në thelb të kundërtën e asaj çka i nevojitet PD-së sot më shumë se kurrë e që mund të përkufizohet si nevoja për të njohur vetveten. E në këtë rast çka nevojitej ishte një përmbledhje e një periudhë prej 31 ditësh përpjekjesh intensive në një situatë të jashtëzakonshme, një objekt pune studimore që meriton një studim të thellë e kompleks, datash, çështjesh të shtruara e të debatuara, personalitetesh e individësh, rrymash e botkuptimesh, por kurrsesi një “punë” disa ditësh, apo më keq disa orësh, sa për të kryer një aktivitet përkujtimor sipas rutinës, që nuk justifikon përmbajtjen dhe qëllimin.
Krijimi i Komisionit Nismëtar dhe shënime plotësuese
Për hir të së vërtetës, Komisioni, u mblodh me 11 Janar 1991 dhe jo me 12 Janar dhe është zhvilluar në shtëpinë e z. Mark Mëhilli. Të deleguar kanë qenë Arben Imami, Azem Hajdari dhe Arben Demeti. Takimi zgjati deri pas mesit natës, jo thjesht sepse po merrnim vendime historike, por për pajtuar hatërmbetësit, dhe kjo duhet theksuar për t’u kuptuar më mirë historia, e cila është mbuluar jo rrallë nga thashethmnaja e neveritshme dhe komentet e “rrugës”. Në këtë “mjegull” ka rolin e vet edhe ndonjëri prej “shokëve” tanë, duke e tjetërsuar thelbin e debatit të zhvilluar në mbledhje rreth zgjedhjes së z. Pjetër Arbnorit në detyrën e Kryetarit. Pjetër Arbnori ishte takuar dhe më parë me 12 Dhjetor në Tiranë me Dr. Berishën dhe Arben Imamin, ashtu siç ka shkruar dhe në librin e tij, fakt që e kanë konfirmuar vetë Berisha dhe Imami më vonë. Për këtë çështje nuk do të zgjatem më tej. Unë, Kolec Ndoja, Eduard Grishaj, Mond Bushati kemi kembëngulur që ai të aderonte definitivisht në PD, për të jetësuar bashkarisht edhe idetë e tij si ish i burgosur politik. Këtë, ai e ka pohuar dhe në librin e tij: “Lufta Për Të Mbetur Njeri”.
Ne e dimë se thashethemet i përhapte Sigurimi i Shtetit duke shtrembëruar thelbin e debateve tona. Por as atëherë dhe as sot e kësaj dite nuk mund të akuzohet njeri, sepse falë dosjeve që qendrojnë ende të mbyllura, nuk mund t’i drejtosh kujt gishtin. Ka pasur sigurisht dhe të tjerë shtrembërues të së vërtetës për qëllime të ngushta karriere. Mjerisht, ka në çdo kohë njerëz mendjelehtë që pranojnë më parë gënjeshtrën se të vërtetën. Prandaj dhe janë përhapur disa gënjeshtra rreth thelbit të asaj mbledhjeje. Në funksion të zbardhjes së të vërtetave po i paraqes lexuesve një pjesë të shënimeve të mia të mbajtura pikërisht atë ditë. Shënimet i kam të gatshme për analizë shkencore që janë bërë në atë kohë, megjithse se ne, nuk është nevoja për këtë se shumica e të pranishmëve janë ende gjallë dhe mund t’i konfirmojnë ose dhe mund t’i pasurojnë me ndonjë detaj.
Z. Xhemal Uruçi hapi mbledhjen , duke theksuar rëndësinë e takimit. Mond Bushati foli në emër të studentëve dhe nismëtarve , duke bërë një ekspoze të atyre ditëve. Në vazhdim të rendit të mbledhjes, Edmond Bushati dhe Eduard Grishaj propozojnë për Kryetar të Komisionit Nismëtar z. Pjetër Arbnori. Arben Broci, me një sjellje prej xhentëlmeni (dhe jo si thotë apo shkruan ndonjë gënjeshtar dashakeq), ndërhyri me pyetjen: “Ne po e vendosim Pjetër Arbnorin për Kryetar, po a e pranon Shkodra një ish të burgosur politik”? Pyetja e tij ishte e sinqertë dhe me të, të gjithë sa ishim, kuptuam se shqetësimi i tij lidhej me idenë se me zgjedhjen e z. Arbnori kryetar nënkuptohej një kalim i PD-së në ekstremin e djathtë. Ai kishte parasysh se në programin minimal të PD, njihej zyrtarisht se, lëvizja studentore zhvillohej në kuadër të reformave që kish ndërmarrë Ramiz Alia. Megjithse, Arbeni ishte i vetmi person që injoroi Ramiz Alinë, në takimin e tij me përfaqësinë e studentëve, ai tërthorazi ua kujtoi atë. Pas Arben Brocit, e merr fjalën Arben Imami : “Dhe në Vlorë ka ndodhur një fenomen i tillë, por është refuzuar që një ish i burgosur politik të dalë në krye të Degës së PD-së ”!
Pas A. Imamit, u ngrit Eduard Grishaj duke thënë: “Këtu jemi mbledhur për politikë e jo për probleme ordinere. Në Shqipëri ka ndodhur një ndryshim politik, ne këtij ndryshimi duhet t’i rrijmë. Pjetër Arbnori, si i burgosur politik aspiron dëshirat e Shkodrës, e cila duhet ta ketë për nder t’a ketë në krye. Shkodranët, nuk janë si njalat, por u qendrojnë pikëpamjeve të tyre politike, këtë duhet ta ngulisë në mendje çdonjeri që vjen këtu”! Fjala e tij ndikoi për reflektim… Azem Hajdari, duke e vlerësuar fjalën dhe kurajon e Eduardit, me akcentin karakteristik tropojan, pyet: “A mundet Pjetra me e ba detyrën e kryetarit, nga qi ka vujt shumë nën thundrën e hekurt?”.
Pas Azemit e merr fjalën Mond Bushati: “Pjetër Arbnori, duhet të jetë mëndja jonë që të na orjentojë për të mos gabuar, ne bëjmë punën”! Eduard Përjaku, deri atëherë ishte i heshtur dhe vështronte herë njërin e herë tjetrin, hyri në dialog: “Pjetër Arbnori le të jetë ati jonë shpirtëror, dhe një pikë refërimi ne rrugëtimin tonë”. – “Le ta dëgjojmë Pjetrin”, – ndërhyra unë. Pas meje Arben Imami, tha të njëjtën gjë… Pjetri, duke na kundruar, mori fymë thellë dhe filloi fjalën e tij me akcent shkodran: “Asht e vërtetë se burgu asht i rand, jo vetëm për mu, por për të gjithë ata që kan kalu një pjesë të jetës atje. Ne, sa herë rrëzoheshim, ngriheshim ma të fortë. Personalisht, kam përballu momente të vështira dhe jam mësu. Përsa i përket fjalës së Imamit, du me than se psikologjia e Shkodrës asht ndryshe me at’ të Vlonës …Shkodra përbahet nga nji popullsi tansisht antikomuniste. Falenderoj të pranishmit që më propozun dhe më dëgjun me vëmendje. Në qoftëse votimi më nxjerr mu kryetar, të jeni të sigurt se nuk do ju zhgënjej”. Pas votimit, Pjetri u zgjodh Kryetar i Degës PD Shkodër. Komisioni nismëtar u deklarua i ngritur pas leximit të emrave nga Mond Bushati. /Nga Alfons GRISHAJ, publikuar në vitin 2016/