Kreu i OSHEE, Adrian Çela tha se 11 drejtorët rajonalë do shkarkohen nga detyra duke hapur garën për 11 drejtorë të rinj rajonalë. Sipas Çelës afati i fundit për dorëzimin e aplikimeve është data 6 nëntor.
Njoftimi i OSHEE:
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike Sh.A. shpall konkursin e hapur për pozicionin “Drejtor Rajonal” të drejtorive rajonale, përkatësisht në Drejtoritë Rajonale:
DOKUMENTACIONI PËR APLIKIM DHE AFATI I DORËZIMIT TË APLIKIMIT
Kritere të përgjithshme që duhet të plotësojnë kandidatët që aplikojnë për pozicionin “Drejtor Rajonal”:
a. Të zotërojë diplomë të nivelit master shkencor, preferohet në shkenca: inxhinierike / ekonomike / juridike;
b. Të ketë përvojë pune minimumi 5 vjet;
c. Preferohet të ketë eksperiencë pune në drejtim ose menaxhim;
d. Njohje e mirë e gjuhës angleze në të folur dhe të shkruar;
e. Aftësi shumë të mira kompjuterike;
f. Aftësi të shkëlqyera komunikimi;
g. Aftësi shumë të mira pune në ekip;
h. Të mos jetë marrë ndaj tij masë disiplinore gjatë vitit të fundit ku ka punuar;
Kandidatët që aplikojnë duhet të dorëzojnë dokumentet si më poshtë:
a. Letër interesi për pozicionin në të cilin po konkurron;
b. Jetëshkrim i plotësuar në përputhje me formatin e përcaktuar në shtojcën nr. 1 (bashkëlidhur);
c. Tabelën e plotësuar me të dhënat për aplikant sipas modelit të përcaktuar në shtojcën nr. 2 (bashkëlidhur);
d. Formular vetëdeklarimi i gjendjes gjyqësore;
Kujdes! Mos dorëzimi dokumenteve të mësipërm është kusht skualifikues.
Vlerësimi i mëtejshëm i kandidatëve që plotësojnë kriteret e përgjithshme do të bëhet nëpërmjet testimit me shkrim dhe intervistës me gojë.
Fushat e njohurive mbi të cilat do të zhvillohet testimi me shkrim:
a. Ligjin nr. 43/2015 “Për sektorin e energjisë elektrike”;
b. Bazat e menaxhimit dhe administrimit financiar;
c. Konceptet bazë të kontratës së shpërndarjes dhe furnizimit;
Kandidatët gjatë intervistës së strukturuar me gojë do të vlerësohen në lidhje me:
a. Platformën për zhvillimin e rajonit ku aplikon;
b. Njohuritë, aftësitë, kompetencën në lidhje me pozicionin për të cilin aplikon;
c. Motivimin, aspiratat dhe pritshmërinë e tyre për pozicionin ku aplikon;
Dokumentacioni i kandidatëve do të dorëzohet pranë Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike Sh.A. Afati i dorëzimit të aplikimeve: 06 Nëntor 2017
Kandidatët do të njoftohen nëpërmjet postës elektronike për informacione në lidhje me plotësimin e kritereve, fazat e testimit, datën dhe vendin ku do të zhvillohet konkurrimi nga sekretaria e Komisionit të vlerësimit ad hoc.
Komisioni i vlerësimit ad hoc do të përbëhet nga:
i. Përfaqësues i OSHEE Sh.A.;
ii. Një përfaqësues nga Universiteti i Tiranës;
iii. Menaxheri i një sipërmarrjeje të suksesshme;
iv. Një përfaqësues nga Enti Rregullator i Energjisë;
v. Një përfaqësues nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë;