Në fshatin Vrakë të Bashkisë Malësi e Madhe, është përkujtuar 78- vjetori i rënies së Vasil Shantos- “Hero i popullit” dhe dëshmorëve Reshit Rusi dhe Rifat Manjani, bashkëluftëtarë të tij në Luftën e Dytë Botërore.
Në aktivitetin e organizuar pranë memorialit të ngritur në nderim të tyre, ka marrë pjesë kryebashkiaku i Malësisë së Madhe Tonin Marina, prefektja e Qarkut Shkodër Majlinda Angoni, kryetarja e Këshillit Bashkiak Shkodër Brisela Kadia, këshilltarë bashkiakë, drejtues të shoqatave të veteranëve dhe dëshmorëve, përfaqësues të subjekteve të majta, të cilët kanë bërë edhe përshendetjet e rastit.
Pranë memorialit janë bërë homazhe dhe vendosur lule, teksa nxënës të shkollave kishin përgatitur edhe një program artistik. Oratorët që kanë marrë fjalën, kanë vlerësuar të rënët por edhe luftën e popullit gjatë L2B.
Vasil Shanto ka qenë një nga figurat qendrore të Partisë Komuniste Shqiptare në periudhën e pushtetit të vendit nga fashistët por njëkohësisht, edhe një nga atentatorët e njohur të kohës. Vasil Shanto është akuzuar edhe si ideator i vrasjes së djalit të Isa Bolenit, nënkolonel Ademin.
Periudha e L2B është konsideruar shumë herë edhe si “luftë civile” mes shqiptarëve, ku nuk kanë munguar rastet e dyzimeve në mes heronjve dhe kriminelëve, varet nga cili këndvështrim janë parë.
Siç ndodh rëndom këto 32 vite, për shumëkënd një hero i palës tjetër konsiderohet thjesht vrasës apo kriminel dhe anasjelltas. Nuk është aspak normale që i njëjti person, të shihet e vlerësohet në dy pozicione diametralisht të kundërta. Kjo, për sa kohë historia e Shqipërisë do të jetë memece apo e paguximshme për të punuar e hulumtuar e pavarur nga politika.
Është nevojë imediate që historianët të riformatojnë historinë e këtij vendi. Nëse nuk munden, dikush duhet të marrë guximin dhe t’ ia besojë historianëve të huaj, duke u lënë akses në arkivat shtetërore. Të paktën për dokumentet që kanë mundur të ruhen apo mbijetojnë gjatë dhe pas diktaturës komuniste në Shqipëri.